Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi është konfirmuar pozitiv me koronavirus. Vetë ai ka treguar me anë të një statusi në rrjetet sociale edhe gjendjen e tij shëndetësore.
“Miq, pas disa simptomave të lehta që më janë shfaqur një ditë më parë, të ngjashme me Covid 19, vendosa të izolohem në banesë, për të mos rrezikuar kolegët në punë dhe persona të tjerë me të cilët do të kisha kontakt. Kam kryer tamponin dhe po pres zyrtarisht nga ISHP-ja përgjigjen . Ndërkohë do të vazhdoj të ndjek punët dhe detyrat në distancë nga shtëpia.
Jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe po pres rikuperimin e plotë për t’iu rikthyer sërish angazhimeve si më parë. Ju falënderoj për qindra mesazhe e telefonata që kam marrë fill pas publikimit të nxituar të lajmit në disa media. Duke u kujdesur për veten dhe familjen tuaj do ta mbani larg Covid 19 dhe së bashku do ta fitojmë luftën me armikun e padukshëm. Ju përshëndes!”, shkruan Golemi.
Burime për Abc News bëjnë me dije se përveç kryebashkiakut Flamur Golemi pozitiv me Covid janë konfirmuar edhe shefi i komisariatit të policisë vendore dhe një doganier.
Në qarkun e Gjirokastrës numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid ka shkuar në 128 persona. Ndërkohë në vendin tonë vijojnë të jenë të larta shifrat e të infektuarve ditore me koronavirus, ku gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv 284 persona duke e çuar në 19,729 numrin e përgjithshëm të të infektuarve mes të cilëve 487 kanë humbur jetën.e.su./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!