Shteti e refuzoi, ish-i përndjekuri: Me lekët e burgut do bëja shtëpi, a keni nënë e babë?

schedule20:30 - 13 Korrik, 2021

schedule 20:30 - 13 Korrik, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Afro 3 dekada pas Programit të Pajtimit të parlamentit të parë pluralist, ish të përndjekurit pohojnë se statusi i tyre është fals. Pre e torturave më çnjerëzore, ish të burgosurit e të pushkatuarit që sistemi komunist i cilësoi si terrorist, ende sot nuk kanë marrë pafajësinë e si pasojë as dëmshpërblimin e premtuar. “Vetting” sjell në vëmendje historinë e Mirush Përmetit, inxhinierit të kënetës Maliqit. Si e ekzekutuan dhe i sekuestruan shtëpinë komunistët për t’ia dhënë Panajota dhe Vasil Konomit.  Hezitimi i familjes për ta kthyer vilën tek Përmetajt në demokraci dhe falja e munguar e bijës së tyre Luljeta Bozo.

Drejtori i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, zbulon skemën e mashtrimit të shtetit për letrat me vlerë. Ai shpjegon zvarritjen e dëmshpërblimit nga qeveritë e majta dhe të djathta, kur sot shumica e ish të burgosurve janë ndarë nga jeta ndërsa e trashëgimtarët janë ende tek kësti i tretë.  Edhe 30 vjet të tjera për dëmshpërblimin total, cilat janë konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit?

Historia e 81-vjeçarit Hasan Demiraj nga fshati Begë i Tropojës që u trajtua si rast i veçantë nga Avokati i Popullit. Pa shtëpi e me 14 mijë lekë pension, ish i përndjekuri kërkoi ndihmë nga 18 zyrtarë të lartë për të marrë lekët e burgut, por i thanë të “presë në radhë”.

……………………….

Për të kapërcyer pragun, e rrëmuar në historinë e diktaturës shqiptare, s’duhen veçse disa hapa të vegjël drejt atyre që më së shumti ranë pre e terrorit të asaj periudhe. Plagët janë lënë  të hapura, e  bashkvuajtësit e atij sistemi të egër, nga përndjekja, përjetuan më tej në postdiktaturë ethet e braktisjes. Jetët e tyre, janë lënë në harresë, e varfëria hedh vallen e saj në atë çka mbetë, njësoj si në shtëpinë e Hasan Demirajt në gjirin e fshatit Begaj të Tropojës.

81 vjeç, e bir i ish-të përndjekurit politik Idriz Beg Demiraj, prej 3 dekadash është në pritje që shteti t’i zgjasë dorën, për të shijuar edhe ai ndonjë pikël gëzimi, që iu mohua për gjysmë shekulli jetë, me kufizimet e përçmimin e imponuar të sistemit komunist.  Tek familja e madhe e Demirajve, dora e hekurt e prangave dhe torturave nisi në vitin 1951 me djalin e axhës. Dënimi u caktua 18 vjet, për ish-partizanin, ndërsa provat për “agjitacionin e propagandën e pretenduar” nuk ishte e vështirë t’i sajoje.

Shqiptarët e partisë siç tregon i moshuari, jo vetëm që kishin dalë nga lëkura e virtyteve dhe traditës së burrave të bjeshkëve, por këto të fundit u bën shkas që në birucë të përgatitej qoshku edhe për babanë e tij. Me errësirën bashkëpuntore, agjentët e Sigurimit, do ta merrnin e do ta çonin në një nga pyjet e Bajram Currit, ku do t’i bënin presion për t’u bërë pjesë e tyre. Mirëpo  për Idriz Demiraj, jeta si besëshkelë nuk do të kishte asnjë vlerë.

Pas kësaj, Idriz Demirajn e priste burgu, ndërsa për familjen e madhe rendi do të përmbysej. Sikur kjo të mos mjaftonte, atyre do t’u dënohej për një vit me burg edhe nëna. “Ndodhi prej bujarisë”  tregon Demiraj. Komunistët kishin numëruar ngastrat e bukës që zonja e shtëpisë mund t’i kishte dhënë ndonjë elementi të padëshiruar.  Në këto rrethana, 6 fëmijët, që deri në atë periudhë ishin ndër nxënësit e dalluar, dëgjonin krikëllimën e presionit të shoqërisë: Po ju pse mësoni, tani fati juaj dihet! T’i dorëzoheshin punës, ishte zgjidhja e tyre e vetme! Komunizmi siç tregon i moshuari arriti të deformojë traditat e shqiptarëve. Banorët e fshatit Begaj, dikur të kudogjendur, shmangin çdo pikë takimi me Demirajt. Jo vetëm në gëzime, por edhe në tragjedi pranë kishin vetëm një grusht njerëzish. Kështu ndodhi edhe në vdekjen e të atit në vitin 1985, siç rrëfen.

Demokracia do t’u ushqente shpresa të rreme, këtyre shpirtrave liridashës. Kur pluralizmi erdhi, pas  shumë orvatjesh të dështuara për punë, i zhgënjyer e me një trastë bukë me vete, do të nisej për në Tiranë për të trokitur në derën e ministrisë së Bujqësisë.

Një shkresë e ministrit Halili për në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve ku kërkohej që ai të niste punë në Bajram Curri si roje pyjesh, do ta bënte Demirajn  ta gdhinte natën në Sheshin Skënderbe, vetëm për të siguruar bukën e gojës për 2 vajzat e familjen e tij.

Më në fund do të niste punë, por siç tregon konfrontimet për ruajtjen e pyjeve me privatë a vetë shtetin, më shumë do ti hapnin telashe se sa do ta ndihmonin për të mbajtur familjen në këmbë. Si mbetej tjetër veç të merrej me bujqësi, prej së cilës të ardhurat nuk qenë kurrë të mjaftueshme. Si për t’i rënduar barrën e halleve e ekonominë, në vitin 1997 një incident do të bënte që në shtëpia t’i digjej, e dy familjet të mbeteshin në mes të katërt rrugëve.

Një konak aty pranë do të bëhej strehimi i tyre deri në vitin  2012.  Aq i brishtë, sa në 2016-ën do të rrëzohej prej dëborës.

Kërkesave për ndihmë punonjësit e komunës do t’u përgjigjeshin pas tri vitesh me 500 mijë lekë, të cilat siç tregon, jo vetëm që nuk i dilnin për rindërtimin e shtëpisë, por as për shlyerjen e borxheve të grumbulluara.

Demiraj do të zhvendosej kështu në Bajram Curraj, ku jeton edhe sot bashkë me bashkëshorten e sëmurë në një shtëpi me qera. Paguan 7 mijë lekë të vjetra për strehëzën ku jetojnë, por pensionet nuk u dalin për të përballuar të gjitha kostot e jetesës.

Për 81-vjeçarin, i vetmi lehtësim do të ishte marrja e dëmshpërblimit si trashëgimtar i ish të përndjekur e për këtë u ka drejtuar shkresë plot 18 zyrtarëve të lartë të shtetit, deri edhe vetë kryeministrit, duke ju shtrirë dorën për ndihmë.

Ndihet i zhgënjyer, qeveritë që shkojnë e vijnë siç thotë, ndërrojnë ngjyrat por jo taktikat.

I ati siç kujton iku plot brengë, e nëna nuk e pa as dëmshpërblimin e as rehabilitimin e premtuar, ndërsa ai në moshën 81 vjeçare bën betejën për një çati të tijën mbi kokë.

Demiraj nuk di më ku të trokasë për ndihmë, 6këstet e mbetura duan shumë kohë të cilën ai nuk e ka. Rekomandimi i Avokatit të Popullit për Ministrinë e Financave që ta trajtonte rastin e tij me përparësi ka gjetur refuzimin e kësaj të fundit. Epikrizat, hipertensioni, varfëria, mungesa e banesës dhe nevoja për të paguar qeranë nuk përmbushin pikat e udhëzimit nr.2731 të vitit 2012 ku  diktohet se përparësi u jepet vetëm të dënuarve që vuajnë nga sëmundje malinje onkologjike ose hematologjike. Kështu, institucionet i sugjerojnë  Hasanit që  “të presë në radhë”.

Hasani do të presë në radhë, i vetëdijshëm se vdekja do të vijë para kompensimit të 900 mijë lekëshit që qeveritë i kanë premtuar prej 30 vitesh. Ndërkohë që duhet të mendojë se si ta ndajë në racione pensionin 140 mijë lekësh, përmes të cilit shteti pretendon që ai të mbijetojë. E majta dhe e djathta e ushqyen atë dhe të tjerët për 3 dekada me premtime, e pasi i përdorën politikisht, u thanë se “po shtrijnë këmbët” përtej buxhetit të shtetit. 33,182 milionë lekë që parashikoi KLSH, 2 vite më parë si dëmshpërblim ndaj kësaj kategorie. Sot, politikanët pretendojnë se janë shumë.

Një pretendim i tillë nuk ngrihet kur bëhet fjalë për të plotësuar privilegjet e tyre a vijueshmërinë politike. Mjafton të përmendin faktin se në krye të këtij viti partive politike iu buxhetuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 140 milionë lekë.  Nuk ishin shumë as 51 milionshi i maxhorancës, e as 30 milionë që iu dhanë partisë Demokratike, ndërkohë që çështja që shtrohet është: A u detyrohemi atyre e partive të tjera thuajse inekzistente më shumë se ish të përndjekurve që u masakruan e përjetuan torturat më çnjerëzore?!

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!