Në fabrikat e ushtrisë amerikane në Kentaki dhe Kolorado po hidhet një hap i rëndësishëm në historikun e armatimeve luftarake, që i kanë fillimet që nga Lufta e Parë Botërore. Punonjësit po shkatërrojnë raketat e mbushura me gaz nervor. Këto janë armët e fundit kimike që Shtetet e Bashkuara i kanë deklaruar si pjesë e arsenalit të tyre, shkatërrimi i të cilave ishte marrë si angazhim me aderimin në Konventën për Armët Kimike.
Me shkatërrimin e municioneve të fundit kimike, Shtetet e Bashkuara nënvizojnë se këto lloj armësh nuk janë më të pranueshme në fushëbetejë dhe u dërgojnë një mesazh vendeve që nuk janë bërë pjesë e marrëveshjes 26-vjeçare për eliminimin e tyre.
“Po i shpëtojmë Shtetet e Bashkuara nga këto rezerva të armëve kimike, të cilat tashmë nuk do të lëndojnë më asnjë person apo komunitet. Misioni u përmbush”, thotë Kim Jackson drejtuese në fabrikën e shkatërrimit të armëve kimike.
Në depon kimike të ushtrisë në Pueblo të Kolorados kishte filluar që nga viti 2016 puna për shkatërrimin e plotë të armëve kimike. Në Shtetet e Bashkuara ishin rreth 800 mijë municione kimike me agjent nervor të ruajtura në bunkerë të nëndheshëm pranë fermave të mëdha në Pueblo.
Ndërsa në Kentaki mbaheshin edhe municione me gazin nervor sarinë dhe VX, pjesa më e madhe tyre të vendosura brenda raketave që nga vitet 1940. Shkatërrimi i tyre filloi në vitin 2019 me një proces që realizon shkrirjen e agjentëve vdekjeprurës.
Punonjësit në Pueblo zhvendosin me saktësi dhe ngadalë armatimet drejt dhomave të sigurta, ku robotë të drejtuar nga distanca bëjnë punën e rrezikshme të eliminimit të agjentit toksik, i cili projektohej për të shkaktuar çarje të lëkurës, acarim të syve, hundës, grykës dhe mushkërive.
Pajisjet robotike heqin materialin shpërthyes përpara se agjenti nervor të neutralizohet me ujë të nxehtë dhe të përzihet me një solucion që parandalon reaksion të mundshëm në të ardhmen. Në vazhdim, materiali futet në kontenierë të mëdhenj të mbushur me mikrobe, ndërsa predhat e mbetura dekontaminohen me nxehtësi prej gati 540 gradësh Celcius dhe dërgohen për riciklim metalesh.
“Kjo është e rëndësishme pasi Shtetet e Bashkuara patën marrë angazhimin për të shkatërruar arsenalin e armatimeve kimike… Shkatërrimi i tyre përmbyll një kapitull, të rëndësishëm në historinë ushtarake, por të cilin dëshironim shumë ta mbyllnim”, thotë Kingston Reif, Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Kontrollin e Armëve.
Me përfundimin e procesit në të dyja fabrikat, komunitetet përreth do të përballen tashmë me pasojat ekonomike të përfundimit të këtyre projekteve shumëvjeçare, që patën krijuar mijëra vende pune dhe patën tërhequr profesionistë me kualifikime të larta./VOA