Shtetet e Bashkuara bëhen gati për tërheqjen e trupave nga Siria

schedule22:39 - 13 Tetor, 2019

schedule 22:39 - 13 Tetor, 2019

Shtetet e Bashkuara po bëhen gati të largojnë trupat nga Siria. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, i cili ka nënvizuar se largimi po bëhet gati me urdhër të presidentit Trump, pasi forcat amerikane nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë trupave turke.

Shtetet e Bashkuara janë gati të evakuojnë rreth 1 mijë trupa nga veriu i Sirisë, në një kohë kur ofensiva turke në rajon vazhdon. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, i cili e ka cilësuar situatën të papërballueshme për forcat amerikane.

“Në 24 orët e fundit ne mësuam se turqit kanë ndërmend ta intensifikojnë sulmin e tyre më tej në jug dhe gjithashtu në perëndim të Sirisë”, ka thënë Esper.

Shefi i Pentagonit ka bërë të ditur se kishte folur me Trump për këtë çështje ditën e shtunë dhe se presidenti kishte udhëzuar që trupat amerikane të nisin një tërheqje të planifikuar nga veriu i Sirisë.  Esper ka shtuar se Shtetet e Bashkuara e dinin para kohe për planin e presidentit turk Erdogan për të kaluar kufirin sirian.

“Ishte e qartë që presidenti Erdogan ishte i vendosur për të ndërhyrë. Ai na informoi ne për këtë dhe nuk kërkoi leje”, ka thënë Esper.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë sa duhet trupa për të ndalur avancimin e turqve, ndaj duhet të largohen.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të ndalur avancimin e 15 mijë turqve në jug të Sirisë”, ka shtuar sekretari i Mbrojtjes.

Tërheqja e trupave nga rajoni përbën një braktisje të milicive kurde, të cilat kishin mbështetur Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!