Shtetet e Amerikës Veriore “në luftë” për pilulat e abortit

schedule15:30 - 11 Mars, 2023

schedule 15:30 - 11 Mars, 2023

Aktivistët kundër abortit bërën një fitore historike në Gjykatën e Lartë vitin e kaluar, por debati mbi një nga çështjet më përçarëse të Amerikës është larg përfundimit, sidomos tani që po konaumohen pilulat e abortit pa recetë.

Që nga viti 2000, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar mifespristone si hapin e parë në një proces me dy barna për të abortuar shtatzënitë e hershme.

Janarin e kaluar, FDA ndryshoi rregulloret e saj për të lejuar farmacitë me pakicë të jepnin ilaçin pa recetë.  Më parë, vetëm një pjesë e vogël e farmacive dhe klinikave të specializuara dhe mjekëve mund ta rekomandonin atë. Ndryshimi në ligj mund ta bëjë më të lehtë për miliona gra të bëjnë abort, pasi pilula të tilla janë aktualisht metoda më e zakonshme.

Lejimi i tyre mund të ndikojë në aksesin ndaj drogës për miliona gra në të gjithë SHBA. Këtu janë tre shtete ku beteja u intensifikua këtë javë.

Kalifornia hakmerret ndaj gjigantit të farmacisë

Menjëherë pasi FDA tha se do të lejonte farmacitë të shpërndanin mifespristone, mbi 20 prokurorë të përgjithshëm republikanë nënshkruan letra duke kërcënuar disa nga farmacitë kryesore të vendit me veprime ligjore nëse do të shpërndanin ilaçin në shtetin e tyre.

“Ne theksojmë se është përgjegjësia jonë si Prokurorë të Përgjithshëm të Shtetit të respektojmë ligjin dhe të mbrojmë shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e grave dhe fëmijëve të palindur në shtetet tona. Një pjesë e kësaj përgjegjësie përfshin sigurimin që kompanitë si tuajat të jenë plotësisht të informuara për ligjin”, thuhej në një letër të nënshkruar nga 20 prokurorë të përgjithshëm republikanë.

Pasi mori një letër të ngjashme nga Kris Kobach, prokurori i përgjithshëm i Kansasit, një ekzekutiv i Walgreens u përgjigj.

“Walgreens nuk ka ndërmend të shpërndajë Mifepristone brenda shtetit tuaj dhe nuk ka ndërmend të dërgojë Mifepristone në shtetin tuaj nga ndonjë nga farmacitë tona. Nëse kjo qasje ndryshon, ne do t’ju njoftojmë me siguri,” shkroi zëvendëspresidentja ekzekutive e Walgreens, Danielle Grey.

Pilulat e abortit janë një front i ri në luftërat kulturore

Farmacitë që marrin pilula për abortin i japin në fshehtësi

Kjo shkaktoi një reagim të ashpër, sepse aborti mbetet i ligjshëm në shtet. Që kur Gjykata e Lartë verën e kaluar përmbysi Roe kundër Wade, vendimin e vitit 1973 që u jepte grave amerikane të drejtën kushtetuese për abort, fuqia për të nxjerrë ligje pro ose kundër abortit u është dhënë shteteve individuale.

Që atëherë, 13 shtete e kanë ndaluar plotësisht abortin, ndërsa një shtet, Xhorxhia, e ka të ndaluar që pas gjashtë javësh shtatzëni të kryesh abort. Të tjerë kanë sinjalizuar se do të kufizojnë abortin në të ardhmen, ose po luftojnë në gjykatë për ta ndaluar atë.

Vitin e kaluar, Kansas mbajti një referendum nëse do të bënte një ndryshim në kushtetutë për të thënë në mënyrë eksplicite se nuk kishte të drejtë për abort por votuesit e refuzuan ndryshimin e propozuar, që do të thoshte se aborti mbetet i ligjshëm.

Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, i është kundërpërgjigjur Walgreens duke refuzuar të rinovojë kontratën prej 54 milionë dollarësh të shtetit me gjigantin e farmacisë.

Që atëherë, Walgreens është përpjekur të sqarojë përgjigjen e saj, duke thënë se pozicioni i saj ka qenë gjithmonë që pasi të jetë certifikuar për shpërndarjen e mifepristone nga FDA, do ta shesë atë vetëm në shtetet ku aborti ishte i ligjshëm.

Michigan shfuqizon ligjin e 1931 për abortin

Të mërkurën, Michigan shfuqizoi një ligj të vitit 1931 që i bënte të paligjshme barnat e abortit. Gjykata e lartë e shtetit e shpalli ligjin jokushtetues shtatorin e kaluar.

“Shfuqizimi i sotëm i këtij ligji të vjetëruar është një fitore për miliona banorë të Miçiganit, të cilët, si unë, vlerësojnë integritetin trupor dhe lirinë personale”, tha në një njoftim për shtyp, Prokurorja e Përgjithshëme e Miçiganit, Dana Nessel.

Legjislativi shfuqizoi gjithashtu pjesën e ligjit që e bënte të paligjshme reklamimin e “çdo pilule, pluhur, drogë ose kombinim droge”.

Për vite të tëra aborti ishte i ligjshëm në shtet për shkak të ligjit federal. Por kur Roe v Wade u përmbys, krijoi konfuzion. Ligjet e vjetra, si ndalimi i vitit 1931, të cilat nuk ishin zbatuar, mund të zbatoheshin papritur.

Mbi 55% e popullsisë votuan në favor të bërjes së abortit një të drejtë të mbrojtur në kushtetutën e shtetit, e cila e shkeli ligjin e vitit 1931.

Teksasi dyshon FDA

Në Teksas, shteti i dytë më i populluar në SHBA, një gjykatës po peshon vendimin nëse mifepristoni duhet të jetë i ligjshëm.

Megjithëse ilaçi u miratua më shumë se dy dekada më parë, një padi e ngritur nga grupet kundër abortit pretendon se është i pasigurt dhe se FDA ka injoruar efektet anësore të raportuara.

Aktualisht, FDA thotë se është e sigurt, si pjesë e një regjimi me dy barna, të bësh një abort në shtëpi, deri në javën e 10-të të shtatzënisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë gjithashtu se është e sigurt si pjesë e një procedure me dy barna, deri në 12 javë.

Organizatat kryesore shëndetësore dhe shoqatat e mjekëve kanë paraqitur dokumente në padi, duke përfshirë Shoqatën Mjekësore Amerikane dhe Kolegjin Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve, të cilët thonë se ilaçi është efektiv dhe i sigurt.

FDA ka raportuar gjithsej 26 vdekje të lidhura me mifepriston që kur u miratua, një normë prej rreth 0.65 vdekje për 100,000 abort me pilula. Për krahasim, shkalla e vdekjeve e lidhur me përdorimin e zakonshëm të aspirinës është rreth 15.3 vdekje për 100,000 përdorues të aspirinës.

Tani të gjithë sytë janë te gjyqtari Matthew Kacsmaryk, një i emëruar nga Trump. Nëse ai vendos se FDA ka gabuar në miratimin e saj, kjo mund të ndikojë në statusin e ilaçit në mbarë vendin dhe miliona gra.

Nëse gjyqtari Kacsmaryk e anulon miratimin, qeveria federale mund të apelojë, që do të thotë se beteja për pilulat e abortit mund të arrijë deri në Gjykatën e Lartë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!