“Shtëpia e Lirisë”, Vokshi: Kandidatët përfaqësojnë koalicionin, aleatët janë me ne

schedule19:59 - 1 Shkurt, 2022

schedule 19:59 - 1 Shkurt, 2022

Në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve u regjistrua sot koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, i përbërë nga LSI, Komisioni i Rithemelimit i Sali Berishës dhe partia e Nard Ndokës. Ndërkohë që KQZ nuk e njeh Rithemelimin, Albana Vokshi  e ftuar në Radar Informativ me Juli Xhokaxhi thotë se ata janë konsultuar me ekspertë ligjorë. Sipas saj koalicioni i ka dy parti për të qenë i tillë, siç e parashikon ligji.

“Ka aq parti brenda koalicionit për tu krijuar. Janë dy parti brenda në koalicion. Ne kemi ekspertët më të mirë ligjorë. Janë shashka që përhap Lulzim Basha. Ka disa të tillë që po mundohen të ndihmojnë. Basha e ka kuptuar që nuk ka asnjë mbështetje, prandaj hedh këto shashka. Janë respektuar të gjitha pikat që ligji përcakton. Nuk preferoj të merrem me nëse. Kandidatët janë votuar në primare. Kandidatët përfaqësojnë koalicionin”, tha ajo.

Sipas Vokshit u ra dakord që LSI të përfaqësohet nga kandidatët e Berishës. Vokshi thekson gjithashtu se të gjithë aleatët janë në mbështetje të 6 kandidatëve të tyre.

“Kjo është pjesë e negociatave. Është rënë dakord. të gjithë aleatët janë në mbështetje të kandidatëve. Por jo zyrtarisht të gjithë aleatët janë në mbështetje të kandidatëve. Nuk ka asnjë aleat me Bashën. Ka mashtruar edhe aleatët ndër vite. Nuk i beson më kush Lulzim Bashës”, tha ajo. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!