Zbulimet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili njoftoi në fjalimin para kombit se ushtria posedon një super raketë që nuk mund të shkatërrohet, nuk është një surprizë për Shtëpinë e Bardhë. Këtë e thotë zëdhënësja Sarah Sanders, e cila nënvizon: “Donald Trump është i përqëndruar të mbrojë vendin dhe aftësitë mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara nuk do të qëndrojnë prapa askujt”. Më tej Sanders shton se presidenti amerikan garanton që aftësitë bërthamore mbeten të paarritshme.
“Trump është i vetëdijshëm për kërcënimet që SHBA dhe vendet aleate duhet të përballen në këtë shekull dhe është i fokusuar të mbrojë atdheun tonë, duke arritur paqen përmes forcës”, tha zëdhënësja. “Uashingtoni ishte në dijeni që Moska po zhvillonte një sistem armatimi destabilizues që prej 10 vitesh në shkelje të drejtëpërdrejtë të obligimeve që parashikohen nga traktatet ndërkombëtare”, shprehet Sanders.
Ndërkohë, i njëjti është dhe qëndrimi i Departamentit të Shtetit. “Raketat e reja bërthamore të prezantuar nga Putin janë një shkelje e traktatit për mospërhapjen e armëve nuklleare”. Kështu u shpreh zëdhënsja Heather Nauert, duke iu referuar një traktati të 1987, që ka të bëjë me raketat bërthamore me rreze të mesme.
Reagimi i administratës së Trump erdhi pasi Putin në fjalimin e tij para kombit iu drejtuar Shteteve të Bashkuara duke nënvizuar: “U kemi thënë shpeshherë aelatëve tanë që do të merrnim masa në kundërpërgjigje ndaj sistemeve antiraketore amerikane. Pavarësisht gjithë problemeve me të cila jemi përballur, Rusia është dhe do të mbesë një fuqi bërthamore, por askush nuk na ka dëgjuar. Tani na dëgjoni”. Gjithashtu shefi i Kremlinit zbuloi ndërtimin e një droni shumë të fuqishëm nënujor si dhe njoftoi se ushtria po punon për krijimin e një arme me lazer. /abcnews.al