Shtëpia e Bardhë paralajmëron nevojën urgjente për marrëveshjen e ndihmës për Ukrainën

schedule09:24 - 5 Dhjetor, 2023

schedule 09:24 - 5 Dhjetor, 2023

Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një paralajmërim të ashpër për nevojën urgjente për miratimin e ndihmës shtesë të SHBA-së për Ukrainën, por Kongresi ende nuk është afër një marrëveshjeje për një paketë që do të ndihmonte në financimin e luftës në Ukrainë.

“Ne jemi pa para dhe po na mbaron koha,” shkroi Shalanda Young, drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, në një letër drejtuar udhëheqësve republikanë dhe demokratë.

Ajo paralajmëroi se dështimi i Kongresit për të miratuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën para fundit të vitit do ta “gjunjëzonte” kombin në luftën kundër Rusisë.

Të hënën, megjithatë, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dukej se nuk pranoi kërkesat e fundit për të siguruar dhjetëra miliarda dollarë për Ukrainën.

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Kongresi i SHBA-së ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

Sipas Frederick Kagan, një ish-profesor në Akademinë Ushtarake të SHBA-së, vonesat e financimit tashmë kanë pasoja në fushën e betejës ukrainase. Kundërofensiva aktuale kundër Rusisë po zvogëlohet dhe operacionet e ardhshme për të rifituar territorin e humbur janë në mëdyshje.

“Ukrainasit duhet të bëjnë një zgjedhje të vështirë këtu,” tha ai. “Nëse ata nuk janë të sigurt se do të marrin diçka tjetër nga Shtetet e Bashkuara, atëherë ata duhet të ruajnë atë që kanë.”

Ajo që i nevojitet ushtrisë ukrainase, tha ai, janë tanke, automjete të blinduara, avionë luftarakë, dronë dhe armë, dhe SHBA është i vetmi vend që mund t’i sigurojë ato pajisje shpejt dhe në sasitë që kërkon Ukraina në vitin e ardhshëm.

Republikanët dhe demokratët në Senatin amerikan po negociojnë aktualisht një paketë prej 106 miliardë dollarësh  që përfshin ndihmën për Ukrainën së bashku me mbështetjen ushtarake për Izraelin dhe Tajvanin dhe rritjen e fondeve për sigurinë në kufirin SHBA-Meksikë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!