KANADA- Një shqiptar që jeton në Toronto shpëtoi shumë mjekë në Kanada nga detyrat administrative të tyre. Luka Lamaj ka krijuar një platformë që përdor inteligjencën artificiale dhe kryen këtë punë të bluzave të bardha.
Prej rreth një viti e gjysmë aplikacioni përdoret çdo ditë prej më shumë se 300 mjekësh në Ontario. Për këtë 24-vjeçari shqiptar është vlerësuar dhe me çmimin për avancimin e teknologjisë së kujdesit shëndetësor për vitin 2025.
“Jemi diku tek 55 klinika dhe 3 spitale të mëdha, është pothuajse e gjithë provinca e Ontarios që e përdorin. Diku 300 – 400 mjekë në ditë e përdorin. I ka kursyer mjekëve rreth 2 orë në ditë dhe po flasim mjekët kanadez në Ontario qytete si Toronto, Montreal, Vankuver. Ua ka bërë punën me të lehtë sidomos doktorëve të përgjithshëm, mjekëve familjarë, por dhe disa spitale në dhomat e emergjencës, duke hequr faktin që mjekët të hedhin të dhëna. AI që ne kemi krijuar e kryen atë për mjekun”, tha ai.
Platforma po i kursen kohë mjekëve e njëkohësisht I ka dhënë zgjidhje një tjetër shqetësimi të shumë qytetarëve kanadezë.
“Diku tek 5 milionë kanadezë nuk kanë mjek familje dhe përmes platformës tonë ne kemi bërë të mundur që mjekët të pranojnë më shumë pacientë”, tha ai.
Për të krijuar këtë asistent për mjekët 24-vjeçari që ka përfunduar studimet për biokimi frymëzimin e gjeti në familje. I afërmi i tij po përballej me problemin e shumë mjekëve në sistemin shëndetësor kanadez.
“Një nga problemet që kishte ishte se mjekët familjarë po vuanin shumë nga pensionimi i shpejtë, se e urrenin punën e tyre. Në vend të merreshin me pacientët, po merreshin me teknologjinë, me hedhje të dhënash”, tha ai.
Ndërkohë që platforma po përdoret në spitalet kanadeze Luka po mendon të kontribuojë dhe për sistemin shëndetësor shqiptar.
“Mendoj se do të propozojmë diçka dhe në Shqipëri në të ardhmen. Jam fokusuar në Afrikë, Kanada dhe SHBA”, theksoi ai./abcnews.al