I ftuar në studion e ABC së Mëngjesit, regjisori Renis Hyka ndau emocionet e një suksesi që ka bërë jehonë përtej kufijve. Kinematografia shqiptare triumfoi në edicionin e 76-të të Berlin International Film Festival, ku ai u shpall fitues i programit prestigjioz “The Dream Makers”. Çmimi u nda me regjisorin britanik Alfie Baker, duke e kthyer këtë vlerësim në një bashkëpunim ndërkombëtar premtues. Projekti fitues, që do të prodhohet nga Studio Babelsberg, mban titullin “Dita e Parë”.
Filmi është një metaforë për shoqërinë e çdo kohe dhe trajton marrëdhëniet njerëzore, dëshirat, ëndrrat dhe idenë e rreme të perfeksionit. Edhe pse temat janë universale, ato kanalizohen përmes historisë së një çifti në kërkim të diçkaje që mund t’u ndryshojë jetën. Hyka thekson se përgjegjësia është e dyfishtë, pasi Studio Babelsberg njihet për bashkëpunime me kineastë të mëdhenj dhe standarde të larta artistike e teknike. Ai rrëfeu se në momentin kur u thirr emri i tij në Berlinale, ndjeu emocione të përziera mes krenarisë dhe habisë.
I cilësuar si autori i parabolave që miteve të antikitetit u jep jetë, Hyka ndjek në krijimtarinë e tij stilin “deadpan acting”. Ky është një stil zbavitës në formë, por që përcjell mesazhe serioze e të thella. Në qendër të veprës së tij qëndrojnë tema ekzistenciale si humbja e kuptimit të jetës dhe fati i pandryshueshëm. Me këtë sukses, ai jo vetëm që afirmon veten, por vendos edhe një gur të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.


