Të mos ushqehesh për të kursyer. Shqiptarët, Komisioni Europian i rendit të parët në anketën e cilësisë së jetës. Ndërkohë qytetarët tregojnë se blejnë më pak që të lënë mënjanë para për të mbyllur muajin.
Të blesh më pak ushqime për të kursyer. Duket e çuditshme në një ekonomi konsumi, por jo për shqiptarët, të cilët mbajnë vendin e parë ndër shtetet anëtare dhe kandidate në Bashkimin Europian.
Qytetar 1: “Do marrësh nga pak po pa ngrënë s’do rrish”
38 % e shqiptarëve që iu përgjigjën anketës për cilësinë e jetës së Komisionit Europian treguan se për të kursyer kanë blerë më pak fruta e perime, ndërsa 46% e tyre kishin kishin blerë me pak mish se ju nevojitej.
Qytetar 2: “Mishin e kemi të rrallë, peshkun e harrojmë, zarzavatet përshembull bamjen e kam qejf, por s’mund ta marr, pavarësisht që kam një pension, po ai që e ka më të ulët se unë”.
Qytetar 3: “Peshkun s’bëhet llaf njëherë, ndonjë çik mish, gjëra të vogla”.
Arsyeja tregojnë qytetarët është të lënë para mënjane kryesisht për të mbyllur muajin.
Qytetar 4: “Çfarë kursejmë. Neve përdorim një fjalë: po agjërojmë. Nuk po hamë tre herë në ditë, po hamë vetëm drekën, darkën s’po e hamë. Mëngjesin s’po e hamë. Si mund të më dalë mua 100 euro në muaj. Ja çfarë bleva; dy limona, gjysëm kile kumbulla, bukë 300 lekëshe dhe marrim kos”.
Qytetar 5: “S’kena mundësi as me kursyer me aq sa marrim ne”.
Ndër vendet e rajonit pas Shqipërisë renditet Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ndërsa ndër shtetet e Bashkimit Europian, Suedia ka përqindjen më të ulët të të anketuarve që kanë pohuar se kanë kursyer te blerja e frutave dhe perimeve. /abcnews.al