Bizneset dhe qytetarët kanë shtuar kursimet e tyre në banka përgjatë muajit maj. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se risi është sidomos shtesa e depozitave në valutë të huaj e kryesisht në euro. Kjo tendencë duket se ka lënë pas edhe efektet e kursit të këmbimit .Aktualisht një euro po këmbehet në limitet e 94 lekëve por kjo duket se nuk ka stepur që kursimet ne euro të tkurren.
Sipas Bankës Qendrore depozitat në valutë në total arritën në mbi 9 miliardë euro në fund të muajit maj duke pësuar një rritje të konsiderueshme me 267 milionë euro.
Kjo shifër rezulton se është më e larta e regjistruar që prej 3 vitesh dhe zakonisht kjo ndodh në sezon turistik kur edhe prurjet në valutë të huaj e kryesisht në euro janë më të larta. Vetëm në monedhën europiane kursimet rezultojnë se janë shtuar me 218 milionë euro.
Por kursimet rezultojnë se janë rritur edhe në lekë .
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë të individëve, bizneseve e institucioneve të tjera në banka kanë arritur në 751.6 miliardë lekë gjatë majit duke pësuar një rritje prej 13.9 miliardë lekësh më shumë .
Nëse vërejmë llojin e depozitave rritja në maj erdhi nga depozitat e transferueshme, ose paratë që përdoren për pagesa dhe transaksione
Në total depozitat bankare kanë arritur një rekord historik prej rreth 1.53 trilionë lekësh në të gjithë sistemin bankar.
Rritja e depozitave në sektorin bankar është një sinjal i rëndësishëm I cili konfirmon se ecuria e ekonomisë është pozitive dhe besimi në sistemin bankar është I fortë.



