Rreth 12 % e shqiptarëve dhe 16% e turqve kanë pohuar se ndihen të vetmuar. Sondazhi i Komisionit Europian i rendit popullsinë në Shqipëri dhe Turqi si më të vetmuarit në Europë. Ndërkohë që më të ndjeshëm ndaj vetmisë janë gratë, të moshuarit dhe të varfërit.
Shqiptarët dhe turqit rezultojnë më të vetmuarit në Europë. Në sondazhin për Cilësinë e Jetës kryer nga Komisioni Europian rreth 12 % e shqiptarëve dhe 16% e turqve kanë pohuar se ndihen të vetmuar. Në të gjithë Bashkimin Europian ky tregues është 6%. Cilat kategori prek më tepër vetmia?
“Po të moshuarit, nuk diskutohet ajo punë. Unë edhe pse e kam gruan prapë se prapë quhem i vetmuar sepse humbet shoqëria që kam patur në punë”.
“Të pasurit janë më të vetmuar, sepse janë më vetjake”.
“Ne pensionistët që jemi vetëm”.
Vetmia duket se është më e theksuar tek gratë, të moshuarit dhe të varfërit.
Rreth 14% e shqiptarëve mbi moshën 65 vjeç, 13% e grupmoshës 50 deri në 64 vjeç, e 12% e 35 deri në 49-vjeçareve janë shprehur se ndihen të vetmuar.
Por vetmia ka prekur edhe moshat më të reja ndonëse kanë një jetë më të angazhuar.
Për grupmoshën 25-34 vjeç, përqindja e të pyeturve që kanë thënë se ndihen vetëm në Shqipëri është 13%, duke u renditur sërish të dytët pas Turqisë me 21%.
Ndërkohë sa më pak të ardhura të disponosh aq më i vemtuar ndihesh. Rreth 13% e atyre që jetojnë me minimumin jetik dhe 6% e të pasurve të këtij sondazhi pohuan se ndjehen vetëm./abcnews.al