Nga Linda Karadaku
Shaip Kamberi, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në parlamentin e Serbisë, është komentuar shumë për vendosjen për herë të parë të flamurit shqiptar në këtë parlament dhe për fjalimin e tij të mbajtur në gjuhën shqipe. Kamberi së bashku me deputetët shqiptarë dhe boshnjakë, përbëjnë të vetmen opozitë në një parlament të dominuar nga partia e Vuçiç dhe aleatëve të tij.
“Shumica aktuale në parlamentin e Serbisë nuk mbahet mend as në kohën e Millosheviçit, prej 250 deputetë sa ka i gjithë parlamenti, 243 janë në pozitë, pjesë e pozitës, të udhëhequr nga partitë politike që janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Milosheviçit, siç është Daçiçi, të Sheshelit, vetë presidenti Vuçiç, dhe të Mira Markoviçit, bashkëshortes së Millosheviçit, ministri I policisë Vulin” thotë Kamberi në një intervistë për emisionin Ballkan.
Ai deklaron se kjo ndihmon që të ketë më shumë vëmendje në opinionin publik në Serbi dhe në atë kombëtar. “Megjithatë, është fati ynë në gjithë këtë katrahurë që është atje, që jemi opozita e vetme në parlament, tre deputetë shqiptarë me tre boshnjakë, dhe për këtë kemi edhe më tepër hapësirë dhe vëmendje edhe të opinionit në Serbi, por mund të them lirisht, edhe të opinionit kombëtar. Mjerisht nuk mund të them që këtë vëmendje të mediave të dy shteteve, e kemi edhe nga shtetet, nga qeveritë respektive”.
Shaip Kamberi pohon se në parim, bashkëpunimi i popujve të Ballkanit duhet të jetë për ardhmërinë, dhe “nuk mund të shkojë gjithmonë, historikisht, lufta mes veti sepse beson se periudha e luftërave ka përfunduar”.
“Prandaj edhe bashkëpunimi duhet të jetë një instrument përmes të cilit duhet të stabilizohet Ballkani. Megjithatë bashkëpunimi duhet të përfshijë të gjitha shtetet. Nuk mund të kemi bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor të disa shteteve, duke qenë të përjashtuara të tjerat, qoftë me vetë-përjashtim, qoftë për arsye të ndryshme. Nuk mund të jetë i plotë” thekson ai.
Por çfarë përfaqëson Open Balkan për Luginën e Preshevës, a mund të përfitojnë shqiptarët atje? “Për mua do të jetë interesante të shohim se a do të ketë mundësi bizneset nga Shqipëria të paraqiten për të blerë ish-fabrikat e periudhës së komunizmit këtu. A do ta kenë atë të drejtë? Sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës kurrë nuk e kanë pasur atë të drejtë” nënvizon deputeti shqiptar./ Abcnews.al