Dy taksa hynë në fuqi nga një Prilli duke renduar buxhetin e shumë familjeve shqiptare. Taksa e pronës do të përllogaritet bazuar mbi vlerën e saj, ndërsa biznesi i vogël do të nisë të paguajë tatim mbi vlerën e shtuar.
Nis nga një Prilli, por nuk është gënjeshtër. Shqiptarët do të shpenzojnë më shumë nga buxheti i tyre për taksa.
Taksa e pronës që deri tani ka qenë fikse dhe paguhej mbi sipërfaqe nga ky muaj do te bazohet mbi vlerë. Ajo do të jetë sa 0.05% e vlerës së pronës.
Përshembull: Nëse shtëpia ka një vlerë prej 10 milionë lekësh, familja duhet të paguaj për të 500 lekë në muaj. Për bizneset, taksa e pronës do të jetë sa 0.15% e vlerës së tij.
Kjo nuk është taksa e vetme që hyn në fuqi këtë muaj.
Bizneset që qarkullojnë më shumë se 2 milionë lekë në vit do të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar prej 20%. Deri tani, TVSH është paguar vetëm nga bizneset me xhiro më të lartë se 5 milionë lekë në vit.
Ministria e Financave ndryshoi pragun e përfshirjes në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me argumentin e luftës ndaj evazionit në zinxhirin tregtar.
Tatimet kanë përllogaritur se numri i bizneseve që do të paguajnë fillimisht është 11 mijë e 500, por konsulentët fiskal mendojnë se shifra është më e lartë.
Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH ka rritur pasigurinë tek këta te fundit. Shoqata e tyre pak ditë më parë deklaroi se bazuar ne analizat që ata kanë kryer, kjo lëvizje do të çojë drejt falimentit rreth 50 mijë sipërmarrje brenda vitit.
Përfaqesuesit e biznesit paralajmëruan nisjen e protestave masive nëse qeveria nuk tërheq vendimin./abcnews.al