LIVE/Shqiptarët bëhen bashkë kundër shtrenjtimit të çmimeve, mijëra qytetarë përballë Kryeministrisë. Protesta edhe në rrethe

schedule12:23 - 12 Mars, 2022

schedule 12:23 - 12 Mars, 2022

Mijëra qytetarë janë mbledhur në Tiranë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe ushqimeve gjatë muajve të fundit. Protestuesit kanë vijuar nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Qytetarët kërkojnë nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg. Krahas kësaj, qytetarët kërkojnë edhe lirimin e dhjetra protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.


Protestat vijojnë edhe në Lezhë, Durrës, Pogradec dhe Lushnje. Abcnews.al ju sjell të plota zhvillimet e sotme si më poshtë:

13:10 – Sot mijëra në shesh, protesta e qytetarëve nuk ndalet, vazhdon edhe nesër

Protesta e qytetarëve shqiptarë do të vijojë edhe nesër. Aktivisti Mirgen Qiraxhi njoftoi gjatë protestës së sotme se do të vijojnë edhe nesër, në po të njëjtën orë. Ai tha se marshimi do të nisë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej” për të vazhduar drejt Kryeministrisë.

“Protesta vazhdon nesër sërish me marshimi në orën 11:00 për të kulmar këtu. Do të vazhdojmë apo jo?”, tha ai.

Protesta e sotme nisi në orën 11:00 dhe vijon ende. “Boll na vodhët”, është banderola që shoqëron këtë protestë, ndërsa pjesëmarrja është tepër e madhe. Me mijëra qytetarë mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.Kjo është dita e katërt që qytetarët janë ngritur, ndërsa protesta paralele janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit.

12:27-Gazetari Taulant Kopliku para protestuesve: I kënaqur që ky shesh është mbushur jo për politikën

Gazetari i ABC Taulant Kopliku dha mesazhin e tij përpara mijëra qytetarëve shqiptarë që janë mbledhur këtë të shtunë përpara Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Kopliku tha se si asnjëherë më parë sheshi është mbushur sot jo për politikën, ndërsa theksoi se është mesazh për të treguar se është populli që vendos.

“Unë sapo jam kthyer për të jetuar në Shqipëri dhe ka 1 muaj e gjysëm që jam kthyer në vendin tim. Gjendemi në një situatë të paparashikuar ku qeveria ime, më mbyt me taksa, më shton çmimet. Është vërtete e dhimbshme sesi mund të jetohet në këtë vend, por unë kam besim për të jetuar këtu bashkë me ju. Për t’ju kujtuar të gjithëve që Shqipëria bëhet. Jam i kënaqur që ky shesh është i mbushur jo për politikën por për të ardhmen e fëmijëve tanë. T’u tregojmë që ne vendosim”, theksoi ai.

12:04- “Babë e bir” në protestë, Flor Binaj dhe Xhoda thirrje për artistët: Na kritikuan se jemi të vetmit që kemi ardhur

Sot është dita e katërt e protestës së qytetarëve përpara Kryeministrisë, të cilët po kërkojnë uljen e çmimit të naftës dhe produkteve ushqimore.

Mes tyre është edhe aktori Flor Binaj, i cili i ka bërë thirrje të gjithë artistëve në Shqipëri të bashkohen në protestë për të ardhmen e fëmijëve.

“Unë jam kritikuar shumë se kam qenë ndër të vetmit artistë që kam dal të protestojë. Do doja shumë që ashtu si na u bashkua Marin Mema të na baashkohen shum figura publike në Shqipëria”, tha Flori.

Më tej ai zbuloi se nuk është vetëm, por sot në protestë ka ardhur edhe Xhoda, me të cilin janë një dyshe e pandarë përmes roleve të “Babait e djalit”.

“Jam pjesë e kësaj proteste se kjo është pjesë e popullit dhe jo e partive politike, ashtu si shoku im i ftoj artistë të dalinse përpara se të jemi VIP-a jemi qytetarë.

Jam për të gjithë ata pensionistë për të gjithë ata pensionistë që nuk ndezin dot kaloriferin se kanë frikë se i rritet energjia elektrike. Ata që kanë frikë të blejnë ushqime në supermarket. Gjyshërit tanë që kanë punuar gjithë jetën dhe nuk kanë marrë asgjë. Jam shumë krenar që jam këtu me juve”, u shpreh Xhoda.

12:00- Pas marshimit paqësor në qytetet e tyre, dibranët nisen në drejtim të Tiranës

Në të gjithë vendin revolta qytetare është ngritur në këmbë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të karburanteve.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se në Klos është mbyllur marshimi paqësor që nisi në orën 11:00 siç ishte parashikuar dhe tashmë janë nisur drejt kryeqytetit me makina private.

Gjithashtu mësohet se me makina  private pas protestës së zhvilluar në kryqëzimet kryesore të qytetit, qytetarët me makina private janë nisur në drejtim të Tiranës, aty ku po zhvillohet dhe protesta më e madhe paqësore e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve.

11:55-“Mos prisni ballokume, ka shkuar 150 lekë”, protestuesja mesazh nga Elbasani

Me mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në sheshin përpara Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Një prej folëseve vuri në dukje heshtjen e qytetarëve të Elbasanit gjatë këtyre ditëve të cilët nuk kanë protestuar. Ajo kujtoi se këtë vit edhe ballokumja, simboli i Ditës së Verës në Elbasan është prekur nga rritja e çmimeve.

“Dua një duartrokitje edhe pse këto ditë nuk është bërë pjesë, qyteti im i dashur Elbasani. Mos prisni ballokume këtë vit se ka shkuar 150 lekë si asnjëherë tjetër”, tha ajo.

11:43- Mijëra në shesh, nëna Liza thirrje Ramës: Po qe burrë, dil këtu

Nënë Liza simboli i protestave të banorëve të “5 Majit”, ishte sot në sheshin para Kryeministrisë. Të moshuarës, të cilës iu shemb shtëpia disa javë më parë, pasi prekej nga projekti dha mesazhin e saj para mijërave shqiptarëve që kanë dalë sot të protestojnë për rritjen e çmimeve. Ndër të tjera, ajo sfidoi kryeministrin, duke i kërkuar të dalë para populli.

“Ky na shembi shtëpinë, pastaj ngriti çmimet. Unë jam nëna Liza. Pasi shembi shtëpiat, ky na la edhe pa bukë, ka ngritur çmimet. Po qe burrë të dalë sot me këtë popull. Falënderoj të gjithë popullin shqiptarë sa më shumë dhe sa më të fortë. Rinia të jetë në këmbë, unë jam 85-vjeçare”, tha e moshuara.

11:10 –  “Boll na vodhët”, qytetarët në këmbë për rritjen e çmimeve, mbushin sheshin Skëndërbej

Qytetarët kanë nisur grumbullimin e tyre për protestën e paralajmëruar të nisë në orën 11:00 nga Sheshi Skëndërbej.  Prej tre ditësh me radhe në kryeqytet kanë vijuar protesta para kryeministrisë ku qytetarët kërkonin uljen e çmimit të ushqimeve dhe të karburantit.

Paraditen e kësaj të shtune me pankarta në duar qytetarët janë grupuar në shesh për të kërkuar të drejtën e tyre dhe për rritjen abuzive të çmimeve të ushqimeve dhe të karburantëve në vendin tonë.

“Boll na vodhët”, është pankarta më e madhe që qytetarët që janë në vijën e parë të protestës mbajnë në dorë.

Ndërkohë kujtojmë se përveç Tiranës protestat vijojnë në çdo qytet të vendit ku duket se tashmë revolta e qytetarëve është e madhe për shkak të vështirësive ekonomike në të cilën ato ndodhen.

Në të njëjtën orë që ishte paralajmëruar protesta në Tiranë, qytetarët janë grupuar dhe në qytete të tjera nga veriu në jug ku shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes.

11:01 – Qytetarët drejt Kryeministrisë, pjesëmarrje e madhe në protestë

Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Ashtu sikurse ishte lajmëruar qytetarët u mblodhën në shesh për të vijuar më pas drejt bulevardit.

Gazetari Ermal Vija raporton se pjesëmarrja në këtë protestë është e lartë. Qytetarët kanë ardhur nga qytete të ndryshme të vendit. Ata mbajnë pankarta në duar dhe kërkojnë uljen e çmimeve.

“Boll na vodhët” është banderola që shoqëron këtë protestë. Sakaq, kjo është dita e katërt e reagimit qytetar që kundërshtojnë rritjen e karburantit dhe çmimeve të produkteve.

10:40 – Rama reagon pak minuta para protestës: Kemi gati paketën kundër krizës së çmimeve

Kryeministri Rama ka reaguar pak minuta para protestës së madhe të njoftuar përballë kryeministrisë duke theksuar se ka bërë gati paketën e rezistencës sociale për të përballuar pasojat e krizës së çmimeve.

Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me foto nga mbledhja e qeverisë, kryeministri shprehet se janë në përfundim të punës për këtë paketë, të cilën do ta shpalosin në ditët në vijim.

Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare“, shkruan Rama në Facebook.

Qytetarët pritet të protestojnë pak minuta më vonë para Kryeministrisë në Tiranë si edhe në qytete të tjera të vendit kundër rritjes së çmimeve. Kjo është dita e katërt e protestave, ndërkohë që gjatë tre ditëve të para është bërë e mundur ulja deri diku e çmimit të karburanteve. Krahas këtyre të fundit Shqipëria po përballet me shtrenjtim të çmimit të ushqimeve. /abcnews.al

10:01 – Nisin protestat kundër shtrenjtimit të çmimeve, bllokohet rruga në Lezhë dhe Pogradec

Kanë nisur protestat në të gjithë vendin kundër shtrenjtimit të çmimit të ushqimeve dhe karburanteve. Qindra qytetarë kanë bllokuar rrugët në Lezhë dhe Lushnje, ndërsa ka nisur edhe mbledhja e qytetarëve para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Tubimi në Lezhë është zhvendosur në vendin e quajtur kryeqëzimi i Zejmenit. Qytetarët kanë bllokuar rrugën duke mos lejuar lëvizjen e makinave.

Protestat kanë nisur edhe në qytete të tjera si Pogradeci dhe Durrësi. Ndërkohë, vërehet një pjesëmarrje e lartë në protestën e Tiranës, teksa qytetarët po marshojnë nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të Kryeministrisë.

09:17 –  Protesta në Bulqizë, policia arretson 5 persona, në kërkim 16 të tjerë

Pesë persona janë arrestuar nga policia e Bulqizës, pasi nkanë marrë pjesë në protetëne  djeshme. Gjithahstu 16 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas uniformave blu këta persona, dje bllokuan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi.

Me dhjetëra persona janë proceduar edhe në qytete të tjera të vendit, pas protestave për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Njoftimi i policisë:

Penguan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi dhe nuk iu bindën e kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë 5 shtetas,  procedohen penalisht 16 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të Komisariatit të Policisë Bulqizë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 10 dhe 11 mars 2022, në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi,  bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat  penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”,  “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”,  “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,” Organizimi apo pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”,  shtetasit: Sh. GJ., 43 vjeç, L. P., 28 vjeç, N. A., 40 vjeç, B. A., 60 vjeç, K. T., 25 vjeç.

Si dhe filloi procedimi penal për shtetasit  : B. D., 44 vjeç, Sh. D., 42 vjeç, A. Sh., 31 vjeç, O. D., 22 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, Z.Ç., 58 vjeç, Y. L., 25 vjeç, L. L., 31 vjeç, M. S., 40 vjeç,  M. Ç., 45 vjeç, E. L., 37 vjeç,  Sh. T., 40 vjeç, L. A., 26 vjeç, B. C., 40 vjeç, S. Gj., 37 vjeç, Y. R., 23 vjeç,  si dhe u shpall në kërkim shtetasi I. L., pasi këta shtetas me datë 11 dhe 12 mars,  kanë penguar qarkullimin e automjeteve duke bllokuar aksin rrugor  Bulqizë-Peshkopi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët që të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve, sepse do të përballen me forcën e ligjit.

08:30 – Sot protesta e madhe kundër shtrenjtimit të çmimeve në Tiranë

Protesta të shumta janë zhvilluar thuajse në të gjithë qytetet e vendit pas rritjes së çmimeve për ushqimet dhe të karburanteve.

Qytetarë, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në shumë qytete të tjera të vendit, janë organizuar në protesta masive, kundër rritjes së çmimit të naftës, të produkteve ushqimore dhe taksave.

Prej tre ditësh protestat qytetare janë fokusuar kryesisht në pika strategjike, kryesisht akse rrugore, duke ndërprerë qarkullimin e mjeteve në disa prej tyre në shenjë revolte ndaj situatës ekonomike në të cilën gjendet Shqipëria.

Ata janë organizuar në Tiranë, Lushnje, Durrës, Fier, Mirditë, Bulqizë, Korçë, Shkodër dhe në shumë qytete të tjera, por që sigurisht nuk kanë kaluar pa probleme dhe përplasje me Policinë e Shtetit, e cila është përpjekur të ruajë qetësinë dhe të zhbllokojë akset rrugore, që kanë shkaktuar kaos në trafikun e mjeteve rrugore.

Ndërkohë në kuadër të këtyre protestave këtë të shtunë në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë masive para kryeministrisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!