PRESHEVË- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha se strategjitë e ndjekura nga qeveria Kurti po acarojnë më tej marrëdheniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në intervistë për “Ballkan Update”, Arifi shtoi se amerikanët e shohin se Kurti nuk është një partner serioz, i cili bashkëpunon me to për çështjet në rajon dhe më gjerë.
“Strategjia e Kosovës, konkretisht e kryeministrit Kurti, është strategji, e cila i acaron marrëdhëniet me SHBA dhe vjen një moment që SHBA flasim për rreziqe në rajonin tonë. Partnerët e shohin si një kryeministër që nuk kontribuon në partneritet, nuk kontribuon në rajon”, tha ai.
Ai e dënoi gjuhën ironike që Kurti po përdor ndaj aleatit kryesor të shtet-formimit të Kosovës, SHBA. Kjo qasje shtoi ai është e gabuar dhe e rrezikshme.
“Një kryeministër, që dialogun në formë ironike me SHBA, është një diçka që nuk mundem ta besoj. Kur u rrëmbyen tre policët, Kurti i ftoi ndërkombëtarët ta ndihmojnë. Kurti është duke luajtur me situatën politike dhe nuk është serioz”, u shpreh ai.
Ai thotë se Kurti e ka obligim që të dalë dhe të thotë se me kë bashkëpunon, me SHBA apo me Rusinë.
“Kurti të dalë dhe të thotë se nga i ka satelitët e orientuar, nga SHBA apo nga Rusia? Nëse ti nuk bashkëpunon me amerikanët, me kë bashkëpunon? Kjo është pyetja ime kryesore. Për mua është e qartë dhe nënkputon se bashkëpunon me Rusinë,dhe këtë bashkëpunim ndoshta nuk e ka të qëllimtë, por së paku bëhet vegël dhe në mënyrë indirekte i bëhet bashkëpunëtor Rusisë në këtë rajon”, theksoi ai.
Kryetari i Komunës së Preshevës, tha se shqiptarët në Luginë në krahsim me serbët në veri nuk kanë fare të drejta. Sipas tij, shqiptarët e Luginës po luftojnë për mbijetesë, kurse serbët po kërkojnë luks.
“Ne po mundohemi dhe po luftojmë për të drejtat tona. Në krahasim me serbët në veri, ne nuk kemi fare të drejta, edhe ne po luftojmë kundër pasivizimit të shqiptarëve në Luginë. Ata po luftojnë për luks, kurse ne po luftojmë për mbijetesë’, theksoi ai./ n.m. abcnews.al