“Shqiponjat” arrestojnë 47-vjeçarin, çfarë iu gjet në makinë

schedule09:47 - 7 Korrik, 2020

schedule 09:47 - 7 Korrik, 2020

Një 47-vjeçar me iniciale A.S nga Fieri është arrestuar nga policia pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij i janë gjetur 33 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.

Ai është ndaluar në fshatin Xibrakë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Policia njofton se vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Tashmë materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

“Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor “Xibraka”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat e posaçme “Shqiponja”.

Sekuestrohen rreth 33 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, automjeti ku u gjet lënda narkotike dhe dy aparate celular.

Vihet në pranga 47- vjeçari që posedonte dhe transportonte lëndën narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte një sasi lënde narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Xibraka”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

A.S., 47 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas u kap në fshatin Xibrakë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe gjatë kontrollit të mjetit tip “Fiat” që drejtonte ky shtetas, specialistët për Hetimin e  Narkotikëve, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 33 kg lëndë narkotike kanabis.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore”, njofton policia./abcnews.al