Shqipëria U21, shkëlqen sulmuesi Seferi

schedule23:20 - 17 Tetor, 2018

schedule 23:20 - 17 Tetor, 2018

Ekipet kombëtare të moshave i dhanë fund ndeshjeve eleminatore të Europianit. Rezultatet nuk ishin pozitive, por të paktën shkëlqeu një futbollist i ri që mund të vlejë për ekipin përfaqësues.

Një barazim dhe një humbje për ta mbyllur. Nuk është se dhanë shumë shpresë ekipet përfaqësuese të moshave, në eleminatoret e fundit të Europianit, ndonëse misioni i tyre ishte edhe të siguronin lojtarë për kombëtaren e të rriturve. Shqipëria U21 doli pak më mirë, dhe po ashtu pati futbollistin interesant në radhës. Në barazimin 2-2 në Estoni, shkëlqeu Taulant Seferi, që shënoi të dy golat.

I përzgjedhur nga trajneri Alban Bushi, sulmuesi 21-vjeçar me origjinë nga Maqedonia bëri diferencën dhe shpejt pritet ta ketë një ftesë nga Panuçi. I lindur në Kumanovë, ai luan në Zvicër për Jang Bojsin, ndërsa zgjodhi Shqipërinë pasi luajti për disa kohë për ekipet e moshave në Maqedoni. Barazimi 2-2 bëri që Shpresat të dalin në vend të parafundit në grup, me 7 pikë në 10 ndeshje, duke lënë prapa vetëm Estoninë.

Shqipëria U19 doli më dobët, pasi i humbi të tria ndeshjet në grup. Edhe pse luajti në “Niko Dovana” të Durrësit, ekipi i trajnerit Bogdani u mposht edhe në sfidën e fundit me Norvegjinë, 0-1, ndërsa më parë kishte humbur 0-1 me Ukrainën dhe 0-3 me Sllovakinë. Në finalet e Europianit shkuan Ukraina dhe Norvegjia./abcnews.al