Shqipëria U21 do të debutojë nesër në mbrëmje në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 ndaj Andorrës, në stadiumin Andorra della Vela. Kombëtarja është pjesë e grupit G, aty ku bëjnë pjesë edhe Anglia, Çekia, Sllovenia dhe Kosova.
Në prag të kësaj transfertë ka folur për fshf.org trajneri kuqezinjve, Alban Bushi, i cili ka analizuar përgatitjet 10 ditore, teksa kërkon nga skuadra përqendrim maksimal përballë Andorrës, për t’i nisur me këmbën e mbarë sfidat kualifikuese.
“Ishte një grumbullim i gjatë, i cili na dha mundësinë t’i shikonim të gjithë lojtarët. Kjo ishte diҫka pozitive. Jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje, që është shumë e rëndësishme dhe e vështirë.
Përballë kemi një kundërshtar që duhet vlerësuar. Kohët e fundit ata kanë bërë mirë me ekipe si Anglia, me të cilët kanë barazuar, kanë mundur Turqinë dhe kanë barazuar me ne. Për këtë arsye e kemi vlerësuar shumë ndeshjen. Shpresojmë të marrim 3 pikët.
Objektivi? Ne duhet të besojmë që i kemi të gjitha mundësitë për të zënë vendin e dytë dhe do ta tentojmë në këtë edicion. Gjithçka fillon dhe varet edhe nga ndeshja e nesërme me Andorrën. Kemi ekip pothuajse të ri në krahasim me edicionin e kaluar.
Duhet kohë që grupi të konsolidohet, por jam i kënaqur se si lojtarët e mi kanë vepruar në stërvitje. Për këtë jam shumë optimist që këtë ndeshje do ta kalojmë me sukses“. Më pas një koment për vështirësitë e kaluara dhe mungesat.
“Ka qenë një nga grumbullimet me më shumë probleme që kemi pasur sa i përket dëmtimeve. Është pothuajse një ekip i tërë që mungon, por besoj se kjo nuk do të na pengojë për të arritur fitoren nesër. Me lojtarët që mungojnë sigurisht që do ishim patjetër më të fortë.
Kjo gjithashtu tregon se sa punë është bërë te moshat e Shqipërisë, ku ne tani kemi dy ekipe në dispozicion. Andorra? Janë ekip grintoz, të vështirë, japin gjithçka që kanë për fanellën. Nuk është se kanë shumë kualitet, por ne i kemi marrë masat për të dalë me 3 pikë“, deklaroi trajneri i kombëtares. /abcnews.al