Shqipëria U17, Sula e Gjuzi njëzëri: Kemi shanse të kualifikohemi

schedule13:07 - 6 Nëntor, 2019

schedule 13:07 - 6 Nëntor, 2019

Shqipëria U17 po bëhet gati për kualifikueset e Europianit, që do të luhen në periudhën 13-19 nëntor në Portugali. Kuqezinjtë, veç vendasve, në grup do të kenë edhe Ukrainën e Gjeorgjinë. Lojtarët e drejtuar nga Elvin Beqiri vlerësojnë frymën pozitive në ekip.

Eogen Sula dhe Ilir Gjuzi, dy futbollistët e Akademisë së Futbollit, kanë dalë sot në konferencë për shtyp. I pari që foli ishte mesfushori Sula: “Jemi gati, jemi ekip i fortë dhe i mirë. Shpresoj që t’ia dalim. Atmosfera është shumë e mirë, ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi shumë shokë dhe ruhemi që të mos dëmtojmë njëri-tjetrin. Them se jemi një grup shumë i mirë. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme, pasi na ndihmojnë ne individualisht dhe kombëtaren tonë e rrisim si ekip. Shpresojmë që t’ia dalim”.

Më pas, sulmuesi Gjuzi deklaroi:”Skuadra është plotësisht gati për në Portugali. Të gjithë po stërvitemi fort dhe do bëjmë çmos që të kualifikohemi. Nëse e tregojmë në fushë, pse jo, shanset janë të mëdha. Nuk i druhemi askujt, nëse jemi grup mund t’ia dalim ndaj çdo skuadre, mund ta mundim. Këto grumbullime janë shumë të rëndësishme, pasi marrim më shumë eksperiencë, rritemi edhe më shumë, njihemi me njëri-tjetrin dhe e ndihmojmë kombëtaren. Kjo bën që të mund të ecim edhe më lart”. /abcnews.al