Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, ishte i pranishëm në konferencë për shtyp para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Francës, në krah të presidentit të FSHF-së, Armando Duka. Në fjalën e tij, Ceferin tha:
“Për fat të keq, isha në Shqipëri më parë kur humbëm 1-0 me Slloveninë. Dua ta harroj. Unë pashë shumë zhvillime në Shqipëri kur erdha tani, sidomos në infrastrukturë. Sot, Shqipëria luan një ndeshje emocionale, përballë kampionëve të botës në një stadium të ri. Duka më falënderoi për mbështetjen, kështu që dua ta falënderoj dhe unë.
Siç e thashë më parë, Shqipëria po investon shumë në futboll. Problemi i disa shteteve në Europë, ku futet dhe Shqipëria, është se shumë lojtarë largohen menjeherë. Megjithatë, Shqiprëia ka shumë talent dhe në të ardhmen, do të ketë shumë suksese.
Kemi investuar në tre stadiume në Shqipëri, tani duam të investojmë te stadiumi i Kukësit. Superkupa e Europës 2022? Nuk mund ta premtoj diçka të tillë, shumë më kanë pyetur. Një ditë në të ardhmen, padiskutim që do ta mirëprisni një eveniment të tillë, pasi infrastruktura po rritet shumë.
Platini? Dënimi i tij ka mbaruar. Tani mund të marrë çdo rol në UEFA. Vetëm futbollist nuk mund të bëhet, pasi nuk ka moshë (qesh).
Nuk kemi diskutuar me presidentin Rama për pagesat e mbetura. Sot jemi të fokusuar te stadiumi i ri dhe ndeshja ndaj Francës, më pas do të diskutojmë. “Air Albania”? Stadiumi më i mirë në Ballkan. E rëndësishme është që tani keni një stadium kombëtar, ku njerëzit ndihen të sigurt nëse vijnë me familjet e tyre. Nuk dua ta quaj Uembli i Ballkanit, pasi ka bukurinë e vet.
Racizmi? Kryesorja, UEFA ka zero tolerancë ndaj racizmit, por ne nuk jemi qeveri. Nuk mund të burgosim njerëz, na duhet mbështetja e shteteve për të dënuar ata idiotë që përdorin racizëm. Ne kemi një procedurë me tre hapa tani, e cila është përdorur dy herë deri më tani.
EURO 2020? Të gjithë stadiumet janë gati. Edhe ai i Budapestit u bë gati para dy ditësh. Formati i kompeticionit është ndryshe, çdo tifoz do të udhëtojë në çdo stadium të mundshëm”, tha Ceferin. /abcnews.al