Zbulohet shpendi i rrallë në Nartë

schedule09:19 - 3 Qershor, 2020

schedule 09:19 - 3 Qershor, 2020

Shoqata e Ornitologëve Shqiptarë (AOS) ka regjistruar ditët e fundit të majit për herë të parë prezencën e një lloji shpendi të ujit që përbën një specie të re për vendin tonë, të ashtuquajtur Këmbëqirithi i Përhimë.

Zbulimi u bë në zonën e mbrojtura të kriporeve Vjosë-Nartë. Ekspertët shprehen se ky është habitati më i pritshëm i këtij shpendi që i përket llojit të baltakëve.

Tiparet karakteristike të shpendit Këmbëqirithit të Përhimë, që tërhoqën vëmendjen e ekspertëve ornitologë ishin sqepi i lakuar dhe këmbët ngjyrë portokalli, trupi i vogël i një qyrylyku, si edhe ngjyra e përhimtë.

Shoqata e Ornitologëve Shqiptarë (AOS) vijon me punën e saj në identifikimin dhe mbrojtjen e specieve të shpendëve ujor në habitatet dhe ligatinat e ndryshme në territorin e Shqipërisë.

“Për ne identifikimi i  Këmbëqirithit të Përhimtë është tërësisht rastësor por është një fakt shumë interesant dhe risi për vendin tonë” shprehet Besjana Sevo, koordinatore projekti pranë AOS.

Kjo rastësi konfirmohet edhe nga vendndodhja e zonave tipike të çiftëzimit, folezimit dhe migrimit të këtij shpendi, të cilat ndodhen larg prej territoreve të vendit tonë.

Zakonisht Këmbëqirithi i Përhimtë si vende të folezimit ka Azinë Veriore dhe  Evropën Verilindore, ndërsa itineraret tipike të shtegtimit të tij përfshijnë Afrikën perëndimore, Detin e Zi dhe Mesdheun Lindor./BIRN