‘Shqipëria përmbushi reformat”/ Këshilli i Europës: Progres në luftën ndaj korrupsionit

schedule15:03 - 21 Mars, 2025

schedule 15:03 - 21 Mars, 2025

Shqipëria ka bërë progres në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qëndore dhe organet ligjzbatuese.

Gjatë prezantimit të raportit të Greccos, drejtori i përgjithshëm për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Këshillin e Europës, Gianluca Esposito tha se qeveria ka plotësuar reformat të cilat mbështesin edhe ambicien e saj drejt Bashkimit Europian. 

“Korrupsioni nuk është çështje kombësie, pasaporte, apo pozite gjeografike, por thelbësisht një çështje e integritetit personal dhe e sistemeve që e ndalojnë atë. Shqipëria i ka plotësuar këto masa për të parandaluar korrupsionin në dy pjesë të administratës publike. Ky sukses i sotëm nuk duhet të shihet si i izoluar sepse është pjesë përbërëse e të gjithë reformave që po ndodhin në Shqipëri, në gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, të pastrimit të parave, është pjesë përbërëse e të gjithë reformave që do të mbështesin Shqipërinë në aspiratën e saj në BE.” 

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është një nga tre vendet e rajonit që ka patur rezultatet me të lartë në luftën kundër korrupsionit. Ai foli edhe reforma te tjera, si ndërveprim i tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit.

“Ne jemi duke bërë përpjekje të gjithëanshme për ta thelluar këtë progres duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të mirëqeverisjes, të sundimit të ligjit dhe të antikorrupsionit, me një përfshirje të madhe të të gjithë institucioneve dhe me ndërveprimin e të treja pushteteve të pavarura, Pushtetit Legjislativ, Pushtetit Ekzekutiv dhe Pushtetit Gjyqësor duke vazhduar ne si qeveri të bëjmë një punë konsiderueshme akoma edhe më të madhe në fakt për të vënë në dispozicion të këtij progresi dhe të qëllimit tonë të madh për të hyrë në Bashkimin Euopian dhe zhvillimet e teknologjisë.”

Rama tha se qeveria po punon për përfshirjen e inteligjencës artificiale jo vetëm në prokurorimet publike por edhe në kadastër. Kreu i qeverisë tha se teknologjia duhet të këtë një rol të rëndësishëm edhe në polici apo prokurori, me qëllim marrjen në kohe reale të dëshmive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!