SHQIPËRI- Digjitalizimi i pagesave dhe anëtarësimi në sistemin europian të pagesave janë dy sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare në rrugën drejt integrimit në bashkimin Europian.
Guvernatori Gent Sejko priti në një takim një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Delegacioni i BERZH-it vlerësoi rolin e politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë si dhe regjimin e lirë të kursit të këmbimit, që ka pasur ndikim në ruajtjen e stabilitetit dhe në përballimin e goditjeve, duke i mundësuar Shqipërisë të ketë një ndër performancat më të mira ekonomike në rajon.
Në takim u diskutua asistenca e ofruar nga BERZH në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar dhe në përafrimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës me standardet e Bashkimit Evropian, pa lënë mënjanë mbështetjen që ky institucion jep dhe në fusha të tjera të ekonomisë, si në përparimin e energjisë së rinovueshme, transportit dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë.
Guvernatori Sejko theksoi se gjatë vitit 2024 ekonomia vendase ka bërë progres të dukshëm ndërsa niveli i inflacionit është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë./abcnews.al