Shqipëria në BE në 2030? Gjipali: Objektiv i arritshëm, kemi bërë progres

schedule13:33 - 13 Korrik, 2023

schedule 13:33 - 13 Korrik, 2023

TIRANË- Parlamenti Evropian, me 536 vota pro, 54 kundër dhe 32 vota abstenim, miratoi dje raportin për Shqipërinë. Me këtë dritë jeshile, eurodeputetët mirëpresin angazhimin e Tiranës në krah të Bashkimit Evropian.

Raportuesja për vendin tonë, Isabel Santos, deklaroi se me këto ritme Shqipëria do të përmbyllë procesin e anëtarësimit në kohë rekord. Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali thotë se ky është një lajm i mirë për vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit. Ai theksoi se anëtarësimi i plotë i Shqipërisë deri në vitin 2030 është një proces i arritshëm.

“Mendoj se është një objektiv i arritshëm, por është e rëndësishme që për herë të parë kemi diskutimin për një datë, pavarësisht se vjen nga Parlamenti Evropian, i cili nuk mund të caktojë data, por politikisht është një vendim i rëndësishëm që shtyn përpara procesin. Mund të duket e largët, por ne ke mi mbi 20 vjet në procesin e për integrimin evropian, shtatë vitet e ardhshme nuk janë aq shumë  brenda diapazonin 30-vjeçar, që në jemi në angazhim me BE. Mendoj se është lajm pozitiv nxitja që Parlamenti bën për të përcaktuar një datë se kur Shqipëria mund të anëtarësohet në BE.”, tha ai.

Gjipali shtoi në ABC News se gjatë ditëve të ardhshme Komisioni Evropian do të përcaktojë hapat që duhet të plotësojë Shqipëria për të vijuar punën, për përmbylljen e detyrimeve për anëtarësim në BE.

“Hapi i radhës është hapja e negociatave për grupimin e parë, të çështjeve themelore që nis të gjithë procesin e negociatave dhe për të hapur këtë janë disa kushte, që do të paraqiten  në ditët në vijon nga Komisioni Evropian, ku do të përcaktojë hapet që Shqipëria do të ndërmarrë me qëllim nisjen e negociatave. Do ishte lajm pozitiv që Shqipëria ta niste brenda këtij viti këtë proces”,  tha ai.

Sipas tij, Shqipëria gjatë viteve të fundit ka pasur ecuri pozitive në rrugën evropiane dhe këtë e dëshmojnë vlerësimet e bëra nga vetë Komisioni Evropian.

“Në vitet e fundit është treguar ecuri shumë pozitive në proces dhe kjo vërehet tek vlerësimi që i ka bërë Komisioni Evropian i ka bërë Shqipërisë. Në muajt në vijim do të qartësohet se cilat janë ato kushte paraprake që vendi duhet të plotësojë për të ecur më shpejt dhe për të nisur kapituj me radhë të negociatave”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al