Shqipëria perceptohet ndër shtetet me korrupsionin më të lartë në rajon dhe Europë. Indeksi për sundimin e ligjit e rendit në vend të 103 nga 126 shtete. Një përkeqësim me 10 vende krahasuar me një vit më parë. Sa i përket zbatimit të ligjit në përgjithësi vendi ynë renditet i 71-ti.
Shqipëria mban vendin e 71 ndër 126 shtete të marra në studim sa i përket zbatimit të ligjit.
Indeksi për sundimin e ligjit publikuar nga “World Justice Project”, një institucion kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e rendit vendin tonë në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve.
Raporti që bazohet në sondazhet me qytetarët dhe pyetësorët e kualifikuar i jep Shqipërisë 0.51 pikë nga zero që është vlerësimi më i ulët dhe 1 me i larti. Treguesi i përgjithshëm i zbatimit të ligjit në vendin tonë është pak më mirë se në Serbi që renditet e 78, më keq se në Maqedoni që mban vendin e 56 dhe Bosnje në vend të 60.
Sa i përket treguesit të korrupsionit, Shqipëria ka renditje tepër negative. Mban vendin 103 nga 126 shtete. Një përkeqësim me 10 vende krahasuar me vitin e shkuar. Vendi ynë merr 0.35 pikë dhe përfshihet në listën e 25 vendeve më të korruptara në botë me shtete si Nigeria, Venezuela, Afganistani, Meksika etj.
Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon. Bosnja është në vend të 72, Maqedonia në vend të 62, Serbia në vend të 73. Edhe zbatimi i rregulloreve ka një renditje negative, në vend të 97, edhe ky i përkeqësuar nga një vit më parë, së bashku me të drejtën civile, ku jemi në vend të 100.
Treguesit ku renditemi me mire janë rendi dhe siguria. Mbajmë vendin e 31 dhe vihet re një përmirësim i dukshëm nga një vit më parë. Sa i përket të drejtave themelore renditemi të 49-t, për kufizimin në fuqinë e qeverisë mbajmë vendin e 79, ndërsa për qeverinë e hapur të 77-in.
Tre shtetet me ecurinë më të mirë në Indeksin për sundimin e ligjit 2018-2019 janë Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda ndërsa tre të fundit janë Kongo, Kamboxhia dhe Venezuela./abcnews.al