Shqipëria me risk të lartë për pastrimin e parave, Indeksi i Baselit rendit vendin të fundit në rajon

schedule13:52 - 14 Gusht, 2020

schedule 13:52 - 14 Gusht, 2020

Nga Erblina Mile

Shqipëria  është një ndër vendet me riskun më të lartë të pastrimit të parave në Europë.

Indeksi i Baselit thekson se vendi ynë renditet në 50 shtetet më të rrezikuara për të pastruar para  dhe i fundit në rajon. Në këtë raport vlerësohen disa tregues siç janë kuadri ligjor për të parandaluar pastrimin e parave, ryshfeti dhe korrupsioni në administratë,transparenca financiare si dhe rreziqet juridike e politike. Ky institucion vlerëson indikatorët për 141 shtete dhe Shqipëria rezulton se ka tregues më negativ se të gjithë vendet e rajonit.

Greqia është vendi me vlerësimin më të mirë në rajon më pas vjen Maqedonia e cila shënohet  me ngjyrë të gjelbër ose me risk të ulët të pastrimit të parave.

Po ashtu edhe Bosnje- Hercegovina dhe Serbia kanë një vlerësim me disa pikë më pozitiv në krahasim me vendin tonë.

Afganistani rezulton një ndër shtet me treguesin më negativ në 141 shtete ndërsa shteti me riskun më të ulët për të pastruar para është Estonia e ndjekur nga Andorra dhe Finlanda. Ky vlerësim i indeksit të Baselit për Shqipërinë vjen në një kohë që pritet të miratohet amnistia fiskale dhe penale një nismë që nuk është mirëpritur nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Drafti për amnistinë fiskale tashmë ka nisur diskutimet dhe pritet të miratohet në shtator.

Grupet e interesit e kanë kundërshtuar këtë ligj me faktin se do të nxisë pastrimin e parave në vend.

Nga amnistia parashikohet të përfitojnë individë dhe subjekte të cilat deri më tani nuk kanë deklaruar pasuritë e tyre zyrtarisht.

/abcnews.al/