Shqipëria luan sot ndeshjen e fundit të këtij sezoni. Përballë është Republika Çeke, me ndeshjen që luhet në Pragë dhe nis në orën 20:15. Një sfidë në të cilën trajneri Reja do e ketë më shumë vëmendjen te loja e skuadrës, se emrat në fushë.
Shqipëria është në kërkim të një loje bindëse në të gjithë repartet dhe sulmi ka më shumë nevojë për përmirësime. Formacioni i Shqipërisë do jetë sërish 3-5-2, por me disa ndryshime në emra në krahasim me ndeshjen ndaj Uellsit. Selmani do jetë sërish në portë, ndërsa mbrojtësit para tij ndryshojnë.
Në vend të Kumbullës dhe Ismajlit sot do luajnë Ajeti dhe Veseli, ndërsa Gjimshiti është i palëvizshëm. Doka ka fituar besimin e Rejës në të djathtë dhe do jetë edhe sonte. Ndërkohë, Laçi, Kallaku dhe Abrashi do mbulojnë pjesën qendrore të mesfushës.
Ulet në stol Lenjani dhe kthehet si titullar Lorenc Trashi. Ndërkohë, pritet që Reja sulmin t’ia besojë Balajt, që luan sërish titullar dhe Taulant Seferit, që pritet të jetë i vetmi lojtar i Superiores në formacionin e kuqezinjve.
SHQIPËRIA (3-5-2): Selmani; Veseli, Ajeti, Gjimshiti; Doka, Laçi, Kallaku, Abrashi, Trashi; Balaj, Seferi. Trajneri: Edy Reja. D.L/abcnews.al