Policia Kufitare e Rinasit, i ka refuzuar hyrjen në Shqipëri, Imam Imran Nazar Hosein, i cili njihet për ligjëratat e tij fetare. 82-vjeçari ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, rreth mesditës nga Serbia, ndërsa policia kufitare, e ka marrë në pyetje në vijën e dytë të kontrollit, lidhur me arsyet pse do të vizitonte Shqipërinë.
Mësohet se Imran Nazar Hosein, ka deklaruar se në Shqipëri do të vinte për të mbajtur ligjërata, por kjo arsye nuk i ka bindur oficerët e policisë kufitare. Në fakt, njoftime për ardhjen e tij ne vendin tonë ishin bërë edhe në rrjetet sociale ndërkohë që agjentet e policisë nuk janë bindur për arsyet e ardhjes së tij në vendin tonë.
Në këto kushte, duke mos dhënë shkaqe bindëse të tjera lidhur me vizitën në Shqipëri, Imran Nazar Hosein, i është refuzuar hyrja në vendin tonë. Ai është kthyer mbrapsht për në Serbi, vend ky që ai kishte përdorur për të udhëtuar tranzit nga Bosnje Hercegovina.
Imran Nazar Hosein i lindur më 1942, në Trinidad dhe Tobago, nga prindër, paraardhësit e të cilëve kishin emigruar nga India, është një predikues dhe autor i disa botimeve islamike, nga Trinidad dhe Tobago.
/abcnews.al/

