“Shqipëria, kampione e turizmit në vitin 2030”, Rama: Sukses i jashtëzakonshëm, aeroporti ynë konkurues me atë të Beogradit

schedule13:26 - 25 Gusht, 2023

schedule 13:26 - 25 Gusht, 2023

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat dhe fjalën e tij e ka nisur me suksesin e jashtëzakonshëm të vendit tonë në turizëm.

Rama u shpreh se ky është një rezultat i përpjekjeve  të bëra për vite me radhë.

Ai thekson se këtë po shohim frytet e para domethënëse dhe kuptimplota drejt rrugës Shqipëri 2030/

Kryeministri nuk la pa përmendur një element shumë të rëndësishëm sic është Aeroporti i Tiranës, i cili falë investimeve ka pësuar një transformim të rëndësishëm.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Siç ju thashë para dy ditësh, që do të organizonim një tjetër konferencë për temat e tjera, ja ku jemi sot, kështu që mund t’i bëni të gjitha ato pyetjet që keni merak.

Ndërkohë një përmbledhje të përgjithshme paraprakisht edhe pse për sezonin turistik që ende vazhdon, me siguri do të bëjmë një komunikim të posaçëm së bashku me Ministren e Turizmit dhe të Mjedisit, por është mirë të mos e lëmë pa përmendur, mendoj unë, faktin që këtë vit, Shqipëria po përjeton sezonin e një kthese historike që është rezultat i shumë përpjekjesh të bëra në vitet e mëparshme dhe kurorëzim i një faze të re transformimi për turizmin, që ka nisur kohë më parë me Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane, me përkushtimin e posaçëm për zonat turistike, me përkushtimin e posaçëm për trashëgiminë kulturore, me përkushtimin e posaçëm për rritjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në funksion të sezonit, padiskutim edhe me mbështetjen e vazhdueshme për shumë investime që sektori privat ka bërë në industrinë e turizmit dhe që sot shohim frytet e para domethënëse dhe kuptimplota në një rrugë që për ne është e përcaktuar si rruga drejt Shqipërisë 2030, ku pa asnjë diskutim Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajonin tonë për turizmin. E kur them rajonin tonë, kam parasysh Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë që shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm edhe në aspektin e afrimit thuajse të plotë me Greqinë apo me të tjera vende që janë shumë përpara nesh kur vjen fjala te numri i turistëve për frymë.

Ndërkohë, mendoj që duhet nënvizuar së paku një element që është aeroporti i Tiranës, i cili ka pësuar një transformim shumë të rëndësishëm me ndryshimin e koncensionarit me investimet që janë bërë nga kompania shqiptare në aeroport dhe faktikisht besoj e keni parë edhe klasifikimin e nxjerrë nga Agjencia Europiane e trafikut ajror, që Shqipëria në rritjen e numrit të pasagjerëve në trafikun ajror është në vendin e parë dhe sot ne jemi në kushtet kur mund të themi pa rezervë se jo vetëm jemi konkurrues në aeroportin e Beogradit, që është historikisht aeroporti më i madh i rajonit tonë dhe me një traditë shumë, shumë të gjatë sesa aeroporti ynë, por me shumë gjasë mund ta kapërcejmë aeroportin e Beogradit në numër pasagjerësh këtë vit.

Dhe nga ana tjetër, besoj që është e rëndësishme të kujtohet se kantieri i aeroportit të Vlorës është në punë sipas grafikut. E dini që aeroporti i Vlorës do të operohet nga aeroporti i Mynihut dhe faktikisht kemi shumë optimizëm dhe shumë besim që me futjen e aeroportit të Vlorës do të kemi një ‘’bum’’ të konsiderueshëm në rritjen e numrit të turistëve pasi edhe pse aeroporti i Tiranës sot faktikisht punon 24 orë dhe ka pothuajse 200 fluturime në ditë, mundësitë janë për shumë më tepër.

r.t/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!