Shqipëria i hap rrugë përdorimit te popullata edhe të vaksinave që nuk aprovohen në Europë dhe SHBA

schedule17:01 - 9 Prill, 2021

schedule 17:01 - 9 Prill, 2021

Shqipëria i hap rrugë përdorimit të gjitha vaksinave të certifikuara nga institucionet e shteteve prodhuese dhe vendeve që po i tregtojnë. Vaksinat në mbrojtje të Covid-19 për popullatën në Shqipëri, përveç aprovimit nga institucionet certifikuese të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian do të lejohen të përdoren edhe kur certifikohen nga  institucione të tjera të shtetit që i prodhon dhe atij që i shet.

Ndryshimi i aktit normativ i botuar në Fletoren Zyrtare për furnizimin me vaksina nëpërmjet PFIZER EXPORT B.V përcakton se për aprovimin e përdorimit të vaksinës në popullatë, përveç certifikimit nga Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara (FDA) të Amerikës ose European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Evropian, do të përdoren edhe ato aprovuara nga trupa të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19, si dhe vendeve të mbajtësit të autorizimit të tregtimit për vaksinat anticovid.

Më 25 prill hyri në fuqi edhe akti normativ për miratimin e marrëveshjes me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” për të furnizuar Shqipërinë me vaksinën Coronavac të krijuar nga kompania “Sinovac Life Science CoLtd’ dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës.

Që prej fillimit të vaksinimit, sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë janë kryer në total 232,556 doza të vaksinës ndaj Covid-19, gati 9% e popullsisë.

Deri tani janë kryer 35,987 vaksinime për personelin shëndetësor, 25,720 vaksinime për arsimtarët, 7,809 vaksinime për punonjës të policisë, 416 vaksinime për punonjës të medias, 162,624 vaksinime për të moshuarit.

Sipas të dhënave nga Worldindata, në botë, deri tani, më mirë ka ecur Izraeli, ku 60% e popullsisë ka marrë të paktën një vaksinë deri në fund të muajit mars, i ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (46%), Kili (36%), Bahrejni dhe SHBA me nga rreth 30% secili. Mesatarja e Europës është rreth 13%, ndërsa ajo globale 4.4%.

Neni 2

Aprovimi i përdorimit të vaksinës në popullatë

Ishte

Aprovimi i përdorimit të vaksinës anti Covid-19 në popullatë bazohet në aprovimin e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara (FDA) të Amerikës dhe/ose European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Evropian.

Bëhet

Aprovimi i përdorimit të vaksinës anti Covid-19 në popullatë bazohet në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA), European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Evropian, të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19, si dhe vendeve të mbajtësit të autorizimit të tregtimit për vaksinat anticovid./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!