Shqipëria po vazhdon përgatitjet e saj për dy ndeshjet e fundit të Nations League, teksa kuqezinjtë do të përballen me Izraelin dhe Islandën.
Dy ndeshje shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë që duhet të grumbullojë 6 pikë për të përfunduar të dytët në grupin 2 të Ligës B.
Por për Edy Rejën kanë filluar “dhimbjet e kokës”, pasi kuqezinjtë kanë humbur “muskuj” në mesfushë, pasi Endri Çekiçi dhe Keidi Bare kanë humbur të dyja sfidat për shkak të dëmtimeve që lojtarët kanë.
Në këto kushte tekniku Reja ka vendosur të ftojë në Kombëtare dy mesfushorët që ishin në listën e pritjes, Enis çokaj dhe Arbnor Muçolli, të cilët janë bashkuar me ekipin në grumbullim. Ndërkaq, probleme muskulore ka shfaqur edhe sulmuesi Myrto Uzuni, i cili i është nënshtruar testeve të vazhdueshme me stafin mjekësor kuqezi dhe nevojiten dy ose tre ditë për të parë kohët e rikuperimit dhe për të parë nëse do të jetë i gatshëm në kohë për dy sfidat.
Me kuqezinjtë është bashkuar që të hënën sulmuesi i Kombëtares U-21, Eljon Toçi, i cili mund të qëndrojë me ekipin edhe për dy sfidat zyrtare nëse Uzuni nuk do t’ia dalë të tejkalojë problemet fizike.
/f.a/abcnews.al