Edvin Kulluri, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo ka folur për tensionet mes Iranit dhe SHBA-së pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani nga amerikanët.
I pyetur nga gazetari, nëse është e rrezikuar Shqipëria, pas deklaratës së udhëheqësit suprem të Irani Ali Khamenei, i cili duke mos përmendur emër foli për një vend të vogël në Europë, që sipas tij ka bërë komplot me SHBA dhe tradhëtarët e MEK kundër Iranit.
Lidhur me këtë, Kulluri, u shpreh se nuk ka vend për panik. “Unë besoj se nuk ka fare vend për panik, apo një shqetësim serioz. Pasi së pari Shqipëria është një vend i vogël dhe ka një territor shumë më të kontrollueshëm, ka shumë pak qytetarë të huaj të cilët mund të jenë në mënyrë të fshehtë për të kryer akte në dëm të komunitetit të MEK-ut apo edhe vetë Shqipërisë, si shtet që bashkëpunon me SHBA-në. Besoj se këto dy janë avantazhet e mëdhaja.
Së treti, ne ofrojmë vetëm strehë, nuk jemi aktivë në terren. Ne nuk jemi faktor i dorës së parë. Kapacitet tona janë ato që janë, ne kemi trupa në Afganistan. Partneriteti jonë me NATO-n dhe SHBA-në ka qenë eficent. Ne nuk kemi pasur akte terroriste”, u shpreh ai.
I pyetur më tej se nëse ndodh që të ketë sulm terrorist do të jetë mbi popullatën apo MEK-un, anëtarët e opozitës iraniane të strehuar në Manëz, Kulluri tha se një gjë e tillë nuk ndodh.
“Unë besoj se do të jetë e pamundur. Kështu që duhet të jemi të qetë edhe për veten tonë se ka shumë pak gjasa të ndodhë. E dyta, konfrontimi është i drejtpërdrejtë me SHBA-në. Shqipëria nuk mund të jetë një target i rreshtit të parë të tyre”, tha ai./abcnews.al