Me sloganin “Shqipëria e Para”, Djathtas për Zhvillim prezantoi kandidatët e saj për deputet dhe programin e saj, në misionin për një të djathtë dhe opozitë të re.
Drejtuesi i koalicionit, Dashamir Shehi sqaroi se ai bashkë me Alibeajn, mund të kishin negociuar me Berishën për vende për deputet, por synimi me listat e doktorit ishte eleminimi i kundërshtarëve brenda opozitës.
“Për interes ne shkonim tek pala tjetër, te skutat e tyre në lista. Ne i kemi hyrë kësaj pune allahilexhan. Do e bëjmë luftën tonë. Na ndajnë shumë gjëra, listat, pala tjetër e bëri që të eleminojë rivalët politikë.”
Shehi ftoi partitë e reja opozitare të cilat do të marrin mandate deputeti, të formojnë një opozitë të re parlamentare, me një grup deputetësh jo të varur nga Berisha dhe besnikët e tij.
“Kemi bërë tentative për ti puq grupet. Dështuam. Do ishte shumë bukur, për opozitën sikur të ishim bashkë. Por nuk është vonë. Kemi kohë e hapësirë për të ndërtuar një grup të ri parlamentar në Kuvend.”
Edhe deputeti Alibeaj, sqaroi se kushtet për bashkëpunim janë mbështetja ndaj SPAK, ndryshimi i sistemit politik dhe listat e hapura.
“Ne mbështesim SPAK, e padiskutueshme. Do inicojmë referendum për ndryshime kushtetuese për të ndryshuar sistemin politik të marrëveshjes së 2008. Ne do të kërkojmë e do të garojmë vetëm me lista të hapura.”
Në prezantimin e ekipit të koalicionit, u shfaq edhe ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i cili ndonëse nuk kandidon në këto zgjedhje, në vitin 2021 arriti të marrë mbi 9 mijë vota personale si kandidati për deputet më i votuar në qarkun e Fierit.