Dy qeveritë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri dolën për herë të parë në një deklaratë të përbashkët dhe bëhet fjalë për Luginën e Preshevës. Deklarata është firmosur nga kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca dhe ministri në detyrë Gent Cakaj. Të dy mbështesin bashkimin e partive shqiptare në Luginë të Preshevës. Pra ata kërkojnë arritjen e një koalicioni të partive shqiptare në Serbi, para zgjedhjeve të prillit.
“Në cilësinë e drejtuesve të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nënvizojmë edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së koalicionit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës. Ky koalicion është thelbësor për ngritjen e frymës kombëtare dhe ruajtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë. Ndaj, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta mbështetur projektin e Luginës së Bashkuar deri në fund!”, thuhet në deklaratë. /abcnews.al

