Shqipëria nuk është më vetëm destinacion për pushime. Në rrugët e kryeqytetit, takojmë gjithnjë e më shumë të huaj që jetojnë dhe punojnë këtu. Njëri prej tyre është edhe Rohit Ragha, një 22-vjeçar nga India, i cili prej nëntë muajsh punon si shpërndarës picash në Tiranë.
Fillimi për të nuk ka qenë i lehtë, por shumë shpejt, ai thotë se ka gjetur një ambient të ngrohtë dhe njerëz miqësorë.
“Jam Rohi Ragha nga India, kam 9 muaj në Shqipëri. Këtu është shumë bukur.
Ka shumë gjëra që më pëlqejn, duke nisur që nga njerëzit. Këtu njerëzit janë shumë miqësor dhe të sjellshëm. Ndërsa kultura është shumë ndryshe nga ajo indiane.”
Shqipëria nuk ishte një vend i panjohur për Rohin, e kishte dëgjuar nga një mik. Ata fillimishtë punuan në Vlorë gjatë sezonit verorë, për tu zhvendos më pas në Tiranën.
“Punën e gjeta nëpërmjet një agjensie, ndërsa Shqipërinë ma sugjeroi një miku im. Kam disa miq, të cilët jetojnë dhe punojnë këtu. Shqipërinë do ua sugjeroja miqëve të mi, pasi mendoj se këtu punohet dhe jetohet mirë. Unë dhe shoku im i ngushtë, në fillim gjatë sezonit të verës punuam në Vlorë, pak muaj kemi këtu në Tiranë.”
I lindur në një familje të madhe me 6 anëtarë, kjo është hera e parë që 22 vjeçari qëndron kaq gjatë larg shtëpisë. Ndonëse është përshtatur me ritmin e punës, largësia nga familja mbetet sfida më e madhe.
“Kjo është hera ime e parë që qëndroj kaq muaj larg familjes, dhe më mungojnë shumë. Për shumë kujtime më merr malli për vendlindjen, por, ajo që do theksoja vërtet shumë, është familja.”
Rritja e numrit të të huajve të rinj që punojnë në vend tregon për një treg pune që po diversifikohet, ndërsa për Rohin, Shqipëria është tashmë një shtëpi e dytë. / abcnews.al /

