Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave, Sejko: Pozitive për ekonominë, do pasqyrohet në klimën e biznesit

schedule12:12 - 27 Tetor, 2023

schedule 12:12 - 27 Tetor, 2023

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e ka cilësuar si jashtëzakonisht pozitive, lajmin se Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave dhe Ekonmisë, Ervin Mete dhe Shefen e misionit të FMN në Tiranë, Sejko u shpreh se kjo do të pasqyrohet në klimën e biznesit, por edhe në mbështetjen që sistemi financiar do të japë për bizneset, nëpërmjet investimeve dhe financimeve.

“Në përfundim, do doja edhe unë edhe një herë të shprehja kënaqësine time, për lajmin shumë të mirë që morëm, për daljen e Shqipërisë nga lista gri, për të ritheksuar gjithashtu në emër të institucionit të Bankës së Shqipërisë, punën e madhe të bërë në këtë drejtim. Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv, lidhur me vijimin e ecurisë së sistemit financiar, sistemit bankar, por edhe gjithë ekonomisë shqiptare. Do të pasqyrohet jo vetëm në klimën e biznesit, por edhe në aftësinë e sistemit financiar për të mbështetur  me investime, me financime, bizneset e vogla, të mëdha dhe të mesme. Ne do të vazhdojmë punën sikurse kemi punuar këto vite, nën monitorimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve që janë nën përgjegjësinë tonë, në luftën kundër pastrimit të parave”, theksoi ai./abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!