Edhe Shqipëria i është bashkuar qëndrimit të SHBA-ve dhe BE-së për të dëbuar diplomatë rusë, pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britaninë e Madhe.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka thirrur Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin, të cilit iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik.
Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht, përmes një njoftimi për media, nga zyra e shtypit e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ndërsa përmes një njoftimi të shpërndarë nga ambasada ruse në Tiranë, shprehet protesta e Moskës zyrtare lidhur me vendimin e disa vendeve anëtare të BE-së dhe NATO për dëbimin e diplomatëve rusë.
Ky veprim konsiderohet nga ambasada ruse ne Tirane si një akt jomiqësor.
“Ky gjest provokues i solidaritetit famëkeq me Londrën nga ana e këtyre vendeve, të cilët i ndoqën verbërisht autoritetet britanike në të ashtuquajturën “çështje Skripal” dhe as nuk u përpoqën t’i merrnin vesh rrethanat e ngjarjes, përbën vazhdimin e linjës konfrontuese drejt përshkallëzimit të situatës”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse./abcnews.al