“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Meta: Kombi ka të drejtë të jetojë në liri

schedule19:17 - 1 Qershor, 2020

schedule 19:17 - 1 Qershor, 2020

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh për integrimin e vendit, përmes përkujtimit të ditës së lindjes së Sami Frashërit.

Kreu i shtetit sjell në vëmendje veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, ndërsa shton se ai afirmoi dëshirën dhe përpjekjet e shqiptarëve për t’u integruar në BE.

Meta shkruan se kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të ketë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara europiane

“Sot, në 170-vjetorin e lindjes, nderojmë me respekt e mirënjohje të thellë figurën e ndritur dhe veprën e shquar të atdhetarit, iluministit dhe ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, i cili në momentet më të errëta të kombit i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë dhe frymëzoi popullin në luftën për pavarësi dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar.

Autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri me largpamësi e afirmoi si rrallëkush dëshirën dhe përpjekjet e sotme të shqiptarëve për t’u integruar në Europë, duke thënë se kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të ketë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara europiane.

Sami Frashëri me të drejtë kujtohet edhe si konstitucionalisti i parë, duke ideuar projektin e një Kushtetute moderne, me pushtete të ndara në funksion të shtetit të së drejtës.

Mirënjohje rilindasve të vërtetë për trashëgiminë e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, që nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet dhe të kultivohet nga brezat e rinj”, shkruan Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!