Shqipëria çel grup-kapitullin e parë me BE/ Eksperti: Klima pozitive, janë pjekur kushtet për objektivat e anëtarësimit

schedule14:36 - 15 Tetor, 2024

schedule 14:36 - 15 Tetor, 2024

TIRANË- Në Luksemburg, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën Konferencën e Dytë Ndërqeveritare duke hapur grup-kapitullin e parë të negociatave me familjen e madhe europiane.

Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa, u shpreh se klima në BE, duke marrë në konsideratë dhe kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike vazhdon mbetet pozitive dhe Shqipëria me shumë gjasë do të realizojë ëndrrën e saj të madhe, që të bëhet pjesë e BE brenda 2030, këmbëngulje të cilën e shprehu edhe kryeministri Edi Rama në konferencën e zhvilluar për mediet.

“Është një lajm I zvarritur prej kohësh, jemi mbajtur peng që nga viti 2000. Kanë kaluar vite dhe fatmirësisht, tashmë duke komentuar edhe nga konteksti gjeopolitik duket se ka një përshpejtim nga BE drejt zgjerimit.  Klima duket pozitive. Duket që tashmë kushtet janë pjekur për objektivin brenda 2030”, tha ai.

Gjatë diskutimit në emisionin “Money Report” në ABC News, Xhepa u ndal dhe tek plani i rritjes së BE-së, i cili ka vënë në dispozicion një shumë monetare prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, fond ky që një pjesë janë grante dhe pjesa tjetër është kredi e butë, e cila mund të përthithet me anë të projekteve bindëse që duhet të dorëzojnë vendet kandidate.

“Gjasat janë shumë pozitive që aksesimi i këtyre fondeve të bëhet realitet. Janë 2 miliardë grante, ndërsa katër miliardë euro janë kredi të buta. Parët që do vijnë në trajtën e kredive të buta, këto duhet të jenë pjesë e programeve që qeveria e Shqipërisë do aplikojë në kuadër të këtij projekti të rritjes. Shqipëria është në syrin e komunitetit ndërkombëtar. Ka patur një sërë arritjesh në planin ndërkombëtar”, tha ai.

Ndërkohë, Shqipëria ka avancuar drejt rrugës për t’u bërë pjesë e sistemim evropian të pagesave SEPA.

Pritshmëritë janë që Shqipëria të jetë pjesë e SEPA brenda këtij viti duke garantuar pagesa dhe transaksione disafish më të lira për qytetarët dhe bizneset.

Për këtë hap, Xhepa tha se nga kjo do të përfitojnë më shumë qytetarët. Në transaksionet e tyre shtoi ai do paguajnë më pak tarifa në banka.

“Me anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA do ketë përfitime për çdo qytetar. Ne jetojmë në një shoqëri, që shumë qytetarët jetojnë jashtë Shqipërisë. Ka efekt shumë të rëndësishëm në ekonominë familjare”, tha ai./abcnews.al