Shqipëria, apel për njohjen e Kosovës në Parlamentin Ndërkombëtar

schedule12:40 - 16 Nëntor, 2018

schedule 12:40 - 16 Nëntor, 2018

Në Tiranë u mbajt sot Sesioni i  Dytë Plenar i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancën dhe Paqen. Drejtues të shtetit shqiptar, duke folur në këtë takim,  bënë thirrje për njohjen e Kosovës si shtet.

Janë bërë bashkë Presidenca, Kuvendi e Qeveria për tolerancën dhe paqen. Në Sesionin e  Dytë Plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancën dhe Paqen, njëzëri inkurajuan dialogun Kosovë Serbi dhe njohjes së shtetit të Kosovës t’i bashkohen më shumë shtete.

Meta: “Shqipëria luan rolin e saj konstruktiv në nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.  Sepse ne besojmë se arritja e një marrëveshje të qëndrueshme, e cila kërkon mbylljen e të gjitha ‘plagëve të vjetra’ do të garantonte një perspektivë europiane jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por do të forconte të gjithë perspektivën europiane të rajonit tonë”.

Ruçi: “Qeveritë e vendeve anëtare për tolerancën e paqen që nuk e kanë njohur ende Kosovën i kontribuojnë kështu paqes e tolerancës dhe stabilitetit dhe sigurisë globale, nëse do kryejnë aktin e madh politik e paqësor të njohjes së Republikës së Kosovës”.

Në mungesë të kryeministrit, numri dy i qeverisë Senida Mesi risolli në vëmendje mesazhin që i dha botës kreu i qeverisë me mashimin në Paris me përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend.

Mesi: “Më lejoni të kujtoj marshimin e solidaritetit në Paris në sheshin “Republika”, pas ngjarjeve të Chalri Hebdo, ku së bashku me Kryeministrin Rama marshuan krah për krahu klerikë shqiptarë, duke i dhënë mbarë botës mesazhin e qartë e të bukur që përçon vendi ynë të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare”.

Me sytë drejt të ardhmes Presidenti i Parlamentit Ndërkombëtar për tolerancë dhe paqje, Taulant Balla artikuloi mesazhin që përcjell axhenda 2030 e miratuar në samitin e kombeve të bashkuara nga 193 shtete anëtare të Organizatës së kombete të Bashkuara.

Balla: “Motoja e kësaj anxhende është “Mos lër askënd pas”, dhe kjo moto tingëllon realiste edhe në Shqipëri, në vazhdën e përpjekjeve tona dhe reformave që kemi marrë përsipër”. /abcnews.al