Shqipëria 2, Sylvinho 0

schedule22:24 - 16 Qershor, 2024

schedule 22:24 - 16 Qershor, 2024

Nga Sokol Balla
Sylvinho është trajneri më i mirë dhe më i keq që mund t’i vinte Shqipërisë. Të shtunën në Dortmund ai çoi skuadrën më të mirë të tridhjetë viteve të fundit, por pas 90 minutave, të vetmit që fituan, ishin 50 mijë tifozët tanë që ngritën murin kuqezi aty ku ngrihet muri i verdhë i tifozëve të Dortmund, por muri i mbrojtjes shqiptare, i ngjau një çokollate shumë të butë, që u shkri, sapo pa bluzat e kaltërta të italianëve përballë.

Sigurisht duke përjashtuar Nedim Bajramin, i cili jo thjesht se vendosi një rekord të ri të Europianit me golin e tij 22 sekonda, jo thjesht sepse ja mori një rusi që e mbante prej 20 vjetësh, ishte padyshim i vetmi ndër lojtarët tani që literalisht ishte gati që në sekondën e parë, gati për të fituar. Jo se humbja përballë Italisë ishte një befasi, por sepse vetë lojtarët italianë ishin të befasuar me lehtësinë që na mundën në 45 minutat e para e i vetmi që po plaste nga marazi, ishte trajneri Italian Spaletti. Zakonisht me skuadra si e jona, skuadrat e mëdha shkojnë pa përgatitur, pasi gjenden kryesisht para lojtarëve të panjohur. Kjo shpjegon se përse Asani shkatërroi portat e disa skuadrave të mëdha në eleminatore. Kjo sepse kundërshtarët nuk e dinin kush ishte. Në fakt nuk e dinim as ne. Por tashmë as Shqipëria e as Asani nuk janë më surpriza. Kjo shpjegon përse Spalletti na kishte studiuar aq mirë, sa na kishte mundur pa nisur loja, si dhe përse sa herë topi prekte këmbën e majtë të Asanit, dy lojtarë italianë e bllokonin me sukses.

Ndërsa traineri ynë Brazilian, kishte studiuar vetëm veten para pasqyrës. E imagjinoj duke përpëlitur në dilemat e tij: Të fus Berishën apo Strakoshën? Të luaj për topin e parë, apo zonale? Të luaj në mbrojtje apo në sulm? Të luaj si trajner i Shqipërisë, apo të jap idenë se mund të drejtoj një ekip të madh në Serie A?
Mes këtyre katër dilemave, zgjodhi gjithmonë variantin e dytë. Dhe gaboi te të gjitha.

Gaboi në zgjedhjen e portierit, pasi harroi se ashtu si dhe ne, Spalletti e dinte se portierët nuk ishin pika jonë e fortë. E dinin se Strakosha ka forcën në zonën e portierit, por në goditjet e befta nga larg, reagon ngadalë. Ndaj italianët godisnin nga jashtë zone, me prekje të parë dhe kështu shënuan golin e fitores. Etriti ndoshta ka vite më shumë, por a nuk u ankua Sylvinho pas ndeshjes dhe tha se ekipit “i mungon përvoja”? Berishën aty e kishte, mund ta perdorte. Jam i sigurt që do ta fusë në ndeshjen me Kroacinë, por për përvojën e munguar duhet të shohë sërish nga pasqyra. Pasi përvoja te ne mungoi, por më shumë tek ai vetë. Berisha do ishte një trajner i dytë në fushë, pasi organizon ai mbrojtjen. Strakosha është portier shumë i mirë, por te kjo pikë nuk i ngjan as Etritit, e as babait të tij dikur. Dikush mund të thotë se ndërkohë mbrojtësit tanë ishin me përvojë. Ndoshta. Por argumentin e përvojës e përdori Sylvinho dhe jo unë. Ai është seleksionuesi. Ai duhet të gjejë balancën mes talentit dhe përvojës. Këtë bëjnë trainerët e mëdhenj dhe të suksesshëm. Sylvinho është i suksesshëm, por i madh jo. Të paktën jo akoma.

Sepse trainerët e mëdhenj nuk kanë dilema. Sepse te gabimi i dilemës së dytë, flasin shifrat: luajtëm zonale në pjesë e parë dhe humbëm 1 me 2. Luajtëm për topin e parë në pjesën e dytë dhe vetëm Zoti i shpëtoi italianët nga goli i munguar i Manajt. Hapësirat e rreshtimit në pjesën e parë, i lanë italianët pa gojë, pasi nuk ishin përgatitur të na mundnin aq lehtë. Loja për topin e parë në 45 minutat e dyta, tregoi sesa e fortë mund të jetë Shqipëria. Shpresoj që Sylvinho të ketë kuptuar ekipin që ka ndërtuar vetë. Pasi kështu nuk do ketë më dilema, e nuk do jetë as trajner i mirë, e as i keq. Thjesht do jetë trajner i madh. Dhe të jesh trajner i madh, do të thotë të jesh i suksesshëm. Dhe përballë Italisë, të jesh i suksesshëm, do të thotë të ruash avantazhin, t’i rezistosh barazimit dhe të çosh pikë në shtëpi. Kjo sepse të kualifikosh Shqipërinë nuk është më lajm. Të marrësh më shumë pikë se De Biasi po. Dhe pastaj përdori ato pikë për të marrë kontratë në Serie A. Por lëri Shqipërisë një pjesë të suksesit e pastaj shko e nënshkruaj kontratë të majme në shtator. Një trajner nuk e ka shansin e jetës 49 vjeç. Kurse ekipe si ai shqiptar, nuk e kanë shansin të djegin një brez të tillë lojtarësh, që mund të vijë një herë në disa dekada. Kështu po, do bëhesh trajner i madh. Dilema e fundit që u zgjidh gabim prej trajnerit tonë Brazilian.

Brazilian. Ndoshta kjo është pjesë e problemit me trajnerët e huaj të kombëtareve. Sepse ka trajner kombëtarë, ka dhe trajnerë të huaj që stërvisin kombëtare. Më kujtohet një profesionist i këtij lloji: Bora Milutinoviç, i cili nuk mbahet mend nëse stërviti dikur një ekip jugosllav. Por ai ishte mercenar dhe e pranonte. Ke pastaj trajner si Gianni de Biasi, që përdorin me zgjuarsi ekipe modeste, kthejnë transformimin e tyre në një projekt disa vjeçar e më pas ngrenë mbi këtë karrierën e tyre. Por De Biasi është përjashtimi që vërteton rregullin. Rregullin që thotë se Sylvinho është shumë herë më i mirë se De Biasi, por nuk e do Shqipërinë siç e deshte ai, dhe ndaj e bën njëkohësisht trainerin më të keq që ka pasur Shqipëria, pasi nuk balancon dot egon e tij, me durimin për të pritur dhe pak e ndarë suksesin me ne. Nëse jo me ne, së paku me tifozët, që po lënë leshtë për të përjetuar pak minuta triumfi, pas dekadash të tëra frustrimi. Sylvinho nuk do të bëhet kurrë trajner i madh i Shqipërisë, jo të vjetër, por të Shqipërisë 2.0

Shqipërisë cinike me ata që e kanë bërë të vuajë 100 vitet e fundit: nga serbët, tek Enver Hoxha, te Fshesa Greke, e deri te polici gjerman që numëron ditët në zonën Schengen në pasaportat tona, si ushtari gjerman gratë, te filmi Dimri i Fundit.

Sepse ky, është realisht dimri ynë i fundit dhe tifozët tanë janë shenja e parë e pranverës. Të rinj, të bukur, paqësorë në humbje, por me pritshmëri të mëdha. Ashtu një ushtri kuqezi, pa armë, por me shumë pasion, që nuk dogji lokale e theu xhama. “Theu” thjesht spaghetti dhe ndau qeshje me tifozët italianë, një parodi e nisur nga një postim i Lino Banfit në Instagram (prandaj bëri aq bujë në mediat përtej detit). Që këndoi himnin Italian, thuajse me të njëjtën dashuri që këndoi himnin shqiptar. Që më siguri dhe përballë tifozerisë së egër dhe të dehur keq kroate, do shfaqet njësoj: shumë hapa para tyre. Shumë më europiane sesa shkretanët serbë, që kanë shekuj që marrin nëpër gojë nënat tona, por përfundojnë të mundur, të bombarduar, e të rrahur. Nga kuqezinjtë dhe nga historia.

Historia. Këtë duhet të bëjë një trajner i huaj që të jetë i suksesshëm me një kombëtare tjetër. “Ne nuk luajmë për tifozët, u përgjigj Spalletti, të shtunën para ndeshjes. “Ne luajmë për 60 milion italianët që do jenë në fushë, së bashkë me ne”. Ja, ky është trajner i madh. Pasi nuk ka rëndësi nëse humbet e fiton, kur e do skuadrën që drejton. Por Spalletti të shtunën fitoi. Dhe kjo e bën të madh dhe të suksesshëm. Kur unë them se Sylvinho është trajneri më i mirë dhe njëkohësisht më i keq që ka pasur Shqipëria, nuk them që nuk është i suksesshëm. Porse po kërkon të bëhet i madh, mbi suksesin e munguar të ekipit. Dhe se deri të mërkurën në Hamburg ka kohë të korrigjojë e të korrigjohet. Fundja Sylvinho nuk ndryshon shumë nga Shqipëria: jemi ekip i suksesshëm, por akoma jo i madh. Le të rritemi bashkë, ne dhe Sylvinho. Ose le të shkojmë në shtëpi.

Ama secili në shtëpi të vet.

Shkruar në Dortmund Airport, 16 qershor 2024

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!