Shqipëri-Ukrainë do të luhet sipas planit

schedule13:15 - 31 Maj, 2018

schedule 13:15 - 31 Maj, 2018

Miqësorja Shqipëri-Ukrainë do të luhet. FIFA vendos që ajo të zhvillohet sipas planit në Francë, ndërsa ukrainasit patën pretendime për fushën e stadiumit.

Nuk kishin dëshirë që ta luanin këtë përballje.

Ukraina ishte gati ta braktiste miqësoren e planifikuar me Shqipërinë në stadiumin e Evianit në Francë, por vendimi i FIFA-s ishte i qartë, nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Drejtuesit e futbollit botëror, pasi analizuan ankesën ukrainase dhe pasi vëzhguan kushtet në impiant, vendosën që gjithçka ishte në rregull dhe që ndeshja të luhet.

Sipas programit, miqësorja zhvillohet në 3 Qershor në mbrëmje në stadiumin ku luan skuadra e Evianit.

Kombëtarja ukrainase udhëtoi normalisht dhe u vendos në Gjenevë të Zvicrës, ku luan fillimisht përgatitoren ndaj Marokut, ndërsa më pas do të përballet me Shqipërinë.

Trajneri Shevçenko ishte njeriu kryesor që pati vërejtje për kushtet në stadium dhe që hodhi idenë që takimi të mos mbahej, veçse besohet se do të jetë i detyruar të respektojë gjykimin e FIFA-s.

Nëse Ukraina tërhiqet nga ndeshja, ajo do të duhet të paguajë një gjobë të lartë, por gjasat janë që kjo të mos ndodhë.

Kombëtarja shqiptare, ndërkaq, ka udhëtuar drejt Francës, ku ka nisur përgatitjet.

Futbollistët dhe trajneri Panuçi do të duhet të zhvillojnë një lojë futbolli ndaj ukrainasve, por sidomos të reagojnë pas disfatës së rëndë pësuar në miqësoren ndaj Kosovës, humbje që solli jo vetëm kritika të ashpra, por edhe tronditje të besimit në ekipin përfaqësues./abcnews.al