Shqipëri-Francë, biletat me “mik” lënë në radhë tifozët

schedule15:32 - 6 Nëntor, 2019

schedule 15:32 - 6 Nëntor, 2019

Janë shitur të gjitha biletat online për ndeshjen ndaj Francës në Arenën Kombëtare. Tifozët vazhdojnë të mbajnë radhë në dyqanin e Federatës në kryeqytet, ndërsa problemi më i madh janë porositë e bëra nga institucionet shtetërore dhe kompanitë private

Reshjet më shumë prishin punë për trafikun. Sidomos në mot të tillë, radha e makinave shtohet në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, aty ku ndodhet dyqani i Federatës Shqiptare të Futbollit, ku shiten biletat e ndeshjes së kombëtares.

Vetë tifozët, që në shi janë më të paktë se zakonisht në radhë, nuk e kanë këtë problem kryesor, por faktin sesa bileta vendosen në dispozicion të tyre. Kur duhen edhe 11 ditë deri në sfidën e Europianit ndaj Francës, qytetarët mund të gjejnë vetëm bileta për tribunat pas portave.

Shitjet në internet për francezët kanë përfunduar dhe nuk mund të bësh më asnjë porosi në këtë mënyrë. Online ke mundësi vetëm për ndeshjen tjetër, atë ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”, madje shanset janë të larta në çdo sektor të stadiumit.

Pengesa kryesore për qytetarët janë porositë e shumta të bëra në Federatë nga institucione shtetërore, kompani të mëdha private të të gjitha fushave, si dhe porositë mbi bazë njohjeje. Një fenomen që ka krijuar problem në çdo ndeshje të rëndësishme, siç ka ndodhur më parë me Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën, Italinë apo Serbinë.

Nga Federata nuk jepet shifër e saktë e biletave të shitura, pavarësisht se flitet për rreth 9 000 të tilla, në një stadium me kapacitet 22 000 vende. Informacioni është vetëm për biletat e nxjerra në treg, ndërsa nuk dihet saktë sesa janë porositur, duke anashkaluar blerjen online apo atë fizikisht në dyqanin zyrtar të FSHF-së. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!