Shqipëri e madhe nga 2012/ Panucci mënjanë, kombëtare serioze në 13 vjet

schedule21:20 - 15 Qershor, 2025

schedule 21:20 - 15 Qershor, 2025

Ai që drejton Federatën e ka pohuar vetë.

Kristian Panuçi ishte, sipas fjalëve të Armand Dukës, gabimi I vetëm që ka bërë në përzgjedhjen e trajnerëve të ekipit kombëtar.

Nëse do ta heqim mënjanë italianin, që ishte një futbollist shumë I mirë, por jo një njeri I stolit, Shqipëria ka arritur rezultate vërtet serioze në 13 vitet e fundit, të paktën në bazë të traditës dhe standardeve të saj.

Që nga viti 2012, kuqezinjtë I kanë drejtuar tre trajnerë të tjerë përveç Panuçit, dhe këta janë Xhani De Biazi, Edi Reja dhe ky I tanishmi, Silvinjo.

Dy italianët dhe braziliani kanë një bilanc në total thuajse qind për qind në ekuilibër përsa I përket rezultateve, dhe pozitiv për golaverazhin.

Silvinjo arriti në 26 ndeshje në kombëtare, dhe është I vetmi që ende ka bilanc pozitiv, me 10 fitore, 7 barazime e 9 humbje.

Pesëdhjetëvjeçari po ashtu ka diferencën e golave më të mirë nga të gjithë, me 31 të shënuar deri tani dhe 23 të pësuar.

Natyrisht, kulmi I tij ishte I madh me kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian në Gjermani vitin e kaluar.

Përpara brazilianit, ekipin e drejtoi Edi Reja, një njeri me përvojë dhe reputacion të madh në Itali, sidomos në Serinë A.

Veterani e mori Shqipërinë kur ishte 74 vjeç dhe e udhëhoqi për rreth tre vjet.

Pavarësisht kritikave për moshën e shtyrë dhe dorën jo edhe aq të fortë, ai iu afrua një kualifikimi në Botëror dhe e ngjiti skuadrën në Nivelin B të Ligës së Kombeve.

Në 38 ndeshje, Reja pati 14 fitore, 9 barazime e 15 humbje, me golaverazh përpikmërisht të barabartë, 45-45.

Xhani De Biazi vazhdon të mbetet njeriu më I dashur nga të huajt në stolin kuqezi, e ndoshta më I pëlqyeri nga të gjithë trajnerët që kemi pasur.

Italiani pati padyshim kulmin e parë të madh që kemi provuar.

Nën drejtimin e tij u kualifikuam si fillestarë në Euro 2016, dhe eksperienca franceze mbetet e paharruar.

Aty u arrit edhe fitorja e parë në fazat finale Europiane, dhe deri tani e vetmja, si dhe u shënua goli I parë.

De Biazi pati bilancin në 46 ndeshje me 18 fitore, 9 barazime e 19 humbje, dhe golaverazhi me 54 të shënuar e 52 të pësuar.

Në total, nën drejtimin e këtyre tre trajnerëve, duke hequr intermexon Panuçi, kombëtarja ka 42 fitore, 25 barazime, 43 humbje, dhe golaverazhin 130 të shënuar e 120 të pësuar.

Jo keq për një skuadër me traditë modeste./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!