Shqipëri e madhe në Pragë, Kombëtarja nis me fitore edicionin e Ligës së Kombeve

schedule17:16 - 8 Shtator, 2024

schedule 17:16 - 8 Shtator, 2024

Lajmi i fundit është që stadiumi do të jetë plot.

Të gjitha biletat janë të shitura në arenën “Air Albania” për ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve ndaj Gjeorgjisë, dhe këtu jo pak ka ndikuar suksesi I parë.

Kombëtarja triumfoi 2-1 me meritë të plotë në Pragë kundër Ukrainës, duke i bërë padyshim nisjen më të mirë të mundshme edicionit të tij të këtij kompeticioni, që mund ta ndihmojë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për herë të parë në histori.

Po ashtu, kryesimi i grupit në fund mund të na ndihmojë të ngjitemi në Nivelin A të Ligës së Kombeve, aty ku janë skuadrat më të mëdha si Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Anglia apo Holanda.

Paraqitja e “kuqezinjve” ishte një nga ato që nuk do të harrohen lehtë.

Pjesa e parë ishte shumë më e mirë edhe sesa shpresuan tifozët, me qarkullim topi, me bllokim të sulmeve ukrainase, dhe me dominim në mesfushë, me rastet që erdhën radhazi. Çdo mundësi falë aksioneve të menduara dhe kombinimeve që e zunë në befasi kundërshtarin.

Që nga portieri Strakosha, tek Ismajli, Kumbulla e Mitaj në mbrojtje, Laçi, Asllani e Ramadani në mesfushë e Manaj në sulm, të gjithë treguan personalitet. Mesa duket ndeshjet ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës ishin një përvojë e madhe.

Braziliani ka merita të mëdha për këtë sukses, por ka edhe fat që nga stoli mund të hedhë në fushë një Arbër Hoxha apo edhe Medon Berisha, dhe që nuk e ka problem mungesën e Brojës, Dakut, Gjimshitit dhe Ajetit.

Kombëtarja tregoi se kualifikimi në Europian nuk ishte rastësi, dhe pas Çekisë e Polonisë, kaloi me meritë edhe Ukrainën, edhe kjo finaliste në Gjermani.

Ishte po ashtu fitorja e parë historike ndaj ukrainasve, ashtu siç më parë u arritën sukseset e para ndaj polakëve dhe çekëve.

Ndërkaq, kuqezinjtë u stërvitën këtë të diel në Pragë, përpara nisjes për në Shqipëri.

Trajneri Sylvinho punoi më shumë me lojtarët që nuk luajtën ndaj ukrainasve, ose që u aktivizuan në pjesën e dytë si Medon Berisha apo Arbër Hoxha.

Njëmbëdhjetë futbollistët që nisën sfidën e së shtunës bënë vetëm seancë fizike pa top, pra thjesht një përgatitje e lehtë për të mos u mbingarkuar.

Silvinjo do të shikojë gjendjen fizike të kombëtares, për të parë se çfarë ndryshimesh duhet të bëjë për duelin e dytë në grup, në Nivelin B të Ligës së Kombeve.

Këtë të hënë, kuqezinjtë zhvillojnë seancën e dytë dhe të fundit përpara duelit.

Gjeorgjia ndërkaq e tregoi veten rival vërtet të fortë.

Skuadra nga Kaukazet shkatërroi 4-1 Republikën Çeke, duke dhënë një paralajmërim se suksesi në Europian nuk ishte rastësi.

Ekipi i drejtuar në fushë nga trajneri Willy Sagnol, dhe që në fushë ka si lider “yllin” e Napoli, Kvicha Kvaratskhelia, tregoi vazhdimësi pasi debutoi në finalet e një Evropiani dhe madje u kualifikua për në raundin e dytë.

Ishte pikërisht Kvaratskelia që shënoi golin e parë në minutën e 33-të me penallti, ndërsa shpërthimi erdhi pas pushimit.

Chakvetadze në minutën e 53-të, Mikautadze në të 63-ën dhe Kochorashvili tri minuta më pas I dhanë formë një fitoreje historike.

Për Çekinë, ishte thuajse i kotë goli i minutës së 80-të me autor mbrojtësi Lukas Kalvach. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!