Shqipëri-Dardani, një ditë do jemi nji!

schedule11:03 - 21 Qershor, 2022

schedule 11:03 - 21 Qershor, 2022

Disa herë në vit bëhemi dëshmitarë të takimeve të sforcuara të dy qeverive të shteteve të ndara shqiptare. Nëpërmjet marrëveshjeve që në të shumtën e rasteve mbeten në letra, ato duan të krijojnë përshtypjen se po “shqyhen” për të mbërritur tek Bashkimi Kombëtar, akti më i madh historik që (me siguri) shumica e shqiptarëve këtej e andej kufirit duan ta shohin të kryer!

Sipas meje, procesi i bashkimit të Shqipërisë me Dardaninë, ngërthen tre komponentë madhorë; bashkimi ekonomik,  bashkimi kulturor dhe bashkimi gjeo-politik! Ky i fundit është më i rëndësishmi në fakt.

Nëse dy shtetet tona do të bashkohen një ditë, këtë do ta bëjnë si gjithnjë “fuqitë e mëdha”, pra një logjikë e thjeshtë të çon të mendosh se “shkrirja” mund të ndodhë vetëm në suazën e Bashkimit Evropian, pra kur dy vendet të jenë anëtare të kësaj familje të madhe gjeo-politike.

Bashkimi ekonomik është tepër i vështirë, përsa bëhet fjalë për dy shtetet më të këputura të Evropës. Bashkimi ekonomik ka kosto dhe kërkon tolerancë. U bashkuan Gjermanitë, sepse njëra prej tyre ishte tepër e fuqishme, përballoi kostot me tolerancë. A mundemi ne të përballojmë kosto? A mund të jemi tolerantë? Mendoj se jo.

Bashkimi kulturor nuk është aq i thjeshtë sa duket. Transformimi i Botës në globale, nuk u jep vlerë aseteve kulturore që të shërbejnë si ura bashkimi.

A bëjnë mirë qeveritë që punojnë për bashkimin? Sigurisht që po. Por duhet ta bëjnë me përgjegjshmëri, me largpamësi, me strategji dhe mbi të gjitha pa hipokrizi!/Abcnews.al/