Shqetësohen te Atletico, klubi u kërkon 5 futbollistëve të ulin rrogat, shkak problemet financiare

schedule09:30 - 27 Gusht, 2022

schedule 09:30 - 27 Gusht, 2022

Atletico Madridi raportohet se ka kërkuar nga një numër i yjeve të skuadrës që të ulin pagat e tyre në mënyrë që klubi të jetë në përputhje me rregullat e La Ligas.

Sipas “GOAL”, klubi madrilen u ka kërkuar pesë futbollistëve nga skuadra e tyre e parë që të pranojnë një ulje pagash për të ndihmuar në uljen e faturës së pagave, transmeton Gazeta Express.

Pesë futbollistët në fjalë besohet të jenë portieri Jan Oblak, mesfushori Koke dhe treshja sulmuese Thomas Lemar, Antoine Griezmann dhe Joao Felix.

Klubi spanjoll thuhet se ka kontaktuar tashmë me futbollistët dhe përfaqësuesit e tyre për të shpjeguar situatën e klubit dhe nevojën për të rregulluar pagat e tyre. Përveç uljes së pagave, klubi ka sugjeruar edhe shtyrje të pagesave.

Oblak dhe Lemar janë dy futbollistët e parë që thuhet se kanë pranuar kushtet e reja në klub, por ende nuk ka sinjale pozitive nga Koke e Felix.

Për sa i përket Griezmannit, situata e tij është pak më e komplikuar pasi ai aktualisht është në huazim nga Barcelona, teksa së fundi është raportuar se Atletico po e kufizon kohën e francezit në fushë për shkak të një klauzole në marrëveshjen e huazimit.

Në marrëveshje thuhet se nëse Griezmann luan të paktën 45 minuta në 50% të ndeshjeve të tyre, “Los Rojiblancos” do të duhet t’i paguajnë klubit katalunas 40 milionë euro dhe të nënshkruajnë me 31-vjeçarin për një marrëveshje të përhershme. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!