Lothar Matthaus është një nga futbollistët më të mëdhenj që ka nxjerrë futbolli gjerman. 58-vjeçari u aktivizua për 12 sezone (në dy periudha të ndryshme) me Bayern Munchen, teksa veshi edhe ngjyrat zikaltër të Interit katër sezone.
Karriera e tij filloi te Borussia Mönchengladbach, ekip që sot kryeson Bundesligën me 25 pikë pas 11 javëve të para. Diferenca me ndjekësit e Leipzig, Bayern Munchen dhe Freiburg, është 4 pikë. Matthaus analizon pikat e forta të surprizës së këtij sezoni dhe uron që Gladbah të rikthehet te titulli kampion pas 43 viteve.
“Borussia Mönchengladbach është një klub simpatik dhe profesionist. Kanë një histori të madhe, kanë fituar 5 herë titullin, disa Kupa Gjermanie dhe dy herë Kupën UEFA. Kanë shumë tifozë nëpër botë, stadiumi i tyre është gjithmonë plot dhe atmosfera në të është fantastike.
Luajnë në Europa League, po bëjnë një punë të shkëlqyer në këtë sezon dhe nuk kanë presionin e fitimit të titullit, ashtu si ndodh te Bayern Munchen. Te Gladbahu janë të çliruar psikologjikisht, por kanë një dëshirë të madhe për të fituar trofe.
Kanë një ekip me lojtarë të rinj, po punojnë të gjithë shumë mirë, kanë një potencial të madh dhe kryesojnë kampionatin. U dërgoj urimet më të mirë. Karriera ime nisi tek ky ekip 40 vite më parë. Mbetem një tifoz i Gladbah dhe shpallja kampion do të ishte diçka e bukur edhe për kampionatin gjerman pas tetë viteve që triumfon Bayerni“, përfundon legjenda e futbollit gjerman. /abcnews.al